Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka marrë pjesë në një diskutim me panelistë në Vjenë, ku është diskutuar edhe procesi i normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se pas normalizimit do të bëhet zgjerimi i Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kështu ka bërë të ditur ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
“Shkëmbim i mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, hapat e ardhshëm dhe rolin e zgjerimit të Bashkimit Evropian sonte në Vjenë. Falënderoj për organizimin dhe bashkë-panelistët e mi Wolfgang Petritsch dhe Stephanie Fenkart për diskutimin”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, në takimin e 2 majit, ku pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të diskutohen zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, miratizmi zyrtar i deklaratës për personat e zhdukur dhe se draft statuti për Asosacionin.
“Me takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë që do të mbahet më 2 maj, kjo është një kohë e përgatitjeve intensive. Si takimi i parë i nivelit të lartë pas Ohrit, do të jetë një takim i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj. Agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft Statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale. Prandaj ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, ka shkruar Lajçak.
Madje, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, së fundmi u ka dhënë një porosi Kurtit dhe Vuçiqit duke ju thënë që më 2 maj duhet të “shkojnë të përgatitur mirë”.