Izmir Zeqiri, kryetar i komunës së Zubin Potokut, i cili sot do ta bëjë betimin në zyrat që ndodhën në fshatin Çabër, pasi ato të komunës janë bllokuar me dyer të hekurta nga serbët lokalë, tha se synon që punët t’i kryejë nga objekti i komunës.
“Zyrën synoj ta kem në objektin e komunës në Zubin Potokut, aty ku edhe do të duhej ta kem. Mendoj që kjo do të arrihet së shpejti, që të gjitha zyrat të jenë në posedim të administrimit të ligjeve të Republikës së Kosovës. Kemi zyra operative edhe këtu, por synojmë që ato t’i kemi në Zubin Potok”, ka thënë Zeqiri në Klan Kosova.
Ai tha se do të funksionojnë si zyrë operative në Çabër, pasi ende nuk janë caktuar as drejtoritë.
“Deri atëherë besoj që mundemi të funksionojmë si zyrë operative edhe prej këtu, përderisa nuk kemi caktuar akoma drejtoritë dhe gjitha zyrat e nevojshme. Do të fillojmë prej këtu”, ka shtuar ai.
Ai tha se beson që gjithçka do të shkojë gjithçka në rregull. Zeqiri theksoi se beson se do të kenë bashkëpunim edhe me ekzekutivin, pasi, sipas tij, është në interes të qytetarëve.
“Do të insistojmë të jemi sa më të bashkuar rreth këtij procesi”, është shprehur ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajur të mërkurën më 24 maj, ka bërë të ditur se kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, do të betohen sot.
“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe [do të bëhet]betimi i tre kryetarëve të rinj”, tha kryeministri dje, pa përmendur se për çfarë ndërtesash bëhet fjalë.
Por, kryetari i zgjedhur i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ceremonia e betimit solemn të tij do të mbahet në fshatin Boletin, në objektin “Kulla e Isë Boletinit”.
Betimin solemn, kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, do ta bëjë në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.
Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.