Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga takimi tre palësh i 14 shtatorit në Bruksel, doli i hatëruar me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan Gazeta Enigma. Ai e akuzoi Lajçakun se kishte lidhur një aleancë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në dëm të Kosovës.
Duke folur të hënën në një konferencë me gazetarët në Prishtinë, Kurti sqaroi se këto akuza nuk janë për BE-në si institucion, por për emisarin Lajçak.
“Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të BE-së me Serbinë, por emisari special i BE-së ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë, sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë e shpërfillen propozimet tona”, u shpreh kryeministri.
“Ditëve në vijim, me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë”, shtoi ai.
Ndonëse nga ky takim Kurti dhe Vuçiq dolën me vështrime të kundërta për marrëveshjen finale, takimi u pa si dështim i radhës i BE-së, për t’i normalizuar marrëdhëniet midis palëve.
Zyrtarët evropianë thanë se ishte Kurti ai që e refuzoi propozimin e tyre për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.
Por kjo sipas Kurtit nuk qëndron.
“Ose do ta zbatojmë Marrëveshjen bazike në tërësi e plotëni të saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i dëshiron Serbia”, tha të hënën Kurti.
Nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë përgjigje për Gazetën Enigma, lidhur me akuzat e Kurtit për Lajçak.
Çka nënkupton qëndrimi i Kurtit për Kosovën?
Afrim Hotin, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se mosbesimi i Kurtit ndaj Lajçakut daton nga koha kur ai ishte ministër i Punëve të jashtme të Sllovakisë – njëherë në periudhën 2009-2010, pastaj më 2012-2020.
Nga ai post, kujton Hoti, Lajçak ka votuar kundër Kosovës në procesin e pranimit të saj në organizata ndërkombëtare.
“Kjo që kryeministri kosovar po e vë tashmë në shesh, praktikisht është ditur shumë më herët, vetëm se tashmë po thuhet me terma shumë të qartë. Nisur nga fakti që zoti Lajçak e ka mbështetjen e të gjitha qendrave kryesore të Bashkimit Evropian, por edhe atyre dytësore – pra, të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, përfshirë këtu edhe mbështetjen e fuqishme nga SHBA-ja, kujtoj se situata po bëhet vërtet e komplikuar”, thotë Hoti.
Qeveria e Kosovës sipas tij ka kohë që ka krijuar një hendek në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili, sipas tij, sa vjen e thellohet.
“Madje është një moment për t’u shqetësuar për të gjithë qytetarët e vendit. Në këtë drejtim, mendoj se politika e jashtme ose vizioni për politikën e jashtme duhet të ristrukturohet dhe të ripozicionohet, sepse si e tillë që është, sot jemi pothuajse pa politikë të jashtme, por edhe ajo që ekziston, mendoj se është duke ecur në drejtim të gabuar”, thotë Hoti.
Masat e BE-së mbeten ende në fuqi
Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në emër të BE-së në një deklaratë për media lidhur me dialogun ka kritikuar Kosovën për veprime të njëanshme, gjersa ka njoftuar se masat e BE-së ndaj Kosovës mbeten ende në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë.
Në këtë deklaratë thuhet se BE është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.
“Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë, raporton Telegrafi.
Në deklaratën për media të BE-së thuhet se lëvizjet e Kosovës, duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve.
E lidhur me kritikat ndaj Kurtit, reagim ka ardhur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.
“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.
Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.
“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.