28 nëntor i ftohtë për dyshen Rama-Kurti – Ku mbetën marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë?

28 nëntor i ftohtë për dyshen Rama-Kurti – Ku mbetën marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë?


Në ditën kur shqiptarët anë e mbanë botës festojnë Ditën e Flamurit, marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri nuk janë në pikën e tyre më të mirë, shkruan Gazeta Enigma.

Ndonëse sot kreu i Qeverisë kosovare, Albin Kurti ndodhet në Vlorë në ceremoninë e ngritjes së flamurit, krah kryeministrit shqiptar Edi Rama, kjo dyshe nuk kanë gjetur pajtim për shumë procese.Ndërkohë një traditë që kishte nisur midis dy vendeve, që nga mbledhja e parë e përbashkët ndërqeveritare e mbajtur me datën 11 janar 2014 midis Shqipërisë dhe Kosovës, në Prizren, është hapur një kapitull i ri i marrëdhënieve midis dy shteteve që rezultoi me nënshkrimin e disa marrëveshjeve.

Por edhe kjo traditë u zbeh, bashkë me ftohen e marrëdhënieve mes kryeministrave Kurti dhe Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e dy qeverive më 20 qershor 2022, pati deklaruar rreth qëllimeve të këtyre marrëveshjeve dhe raporteve mes dy vendeve.

“Gjithmonë marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve bëhen për t‘i shtuar marrëdhëniet dhe për t’i afruar edhe më shumë qytetarët. Ne, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë dhe avancojmë marrëdhëniet tona të afërta, teksa qëndrojmë të përbashkuar si sot rreth nevojës, dëshirës dhe qëllimit për zhvillim, barazi, drejtësi dhe mirëqenie”.

“Vendet tona nuk i bën bashkë vetëm interesi, por është në interesin tonë të qëndrojmë bashkë. Aq sa na bashkon historia, gjuha dhe kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë, bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe rrit besimin social ndërmjet qytetarëve në dy anët e kufirit. Sidomos, ky besim i ndërsjellë social ka dëshmuar që është qenësor në gatishmërinë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar”, kishte deklaruar Kurti.

Në të njëjtën ditë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke deklaruar të arriturat mes dy vendeve kishte shprehur edhe dëshirën për arritjen e qëllimeve nga marrëveshja fillestare e vitit 2014.

“Nuk e ekzagjeroj fare po të them që pas çdo mbledhjeje të përbashkët, ne i afrohemi pak më shumë qëllimit madhor të dokumentit të partneritetit strategjik midis dy shteteve tona të nënshkruara në Prizren në vitin 2014”.

“Albini e tha me fjalë të tjera, unë po e them me një shifër. Volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës kur ne kemi filluar këtë bashkëpunim të afërt ka qenë 136 milionë euro, një volum qesharak. Sot jemi në 433 milionë euro, që nuk është ende volumi që ne kemi ambicien të arrijmë, e kemi deklaruar ambicien që duam të shkojmë mbi 1 miliard, por është një volum që nuk mund ta quash më të papërfillshëm dhe nuk është një shifër me pak domethënie, është rezultat sigurisht i mundit, i djersës, i ambicies së sipërmarrësve shqiptarë në të dyja anët, por edhe i lehtësirave dhe i nxitjeve që ne kemi mundur të krijojmë” kishte thënë kreu i Shqipërisë.

Fushat kryesore të bashkëpunimit

Nga revista bashkëqeveritare mes Kosovës dhe Shqipërisë, thuhet se marrëveshjet e nënshkruara ndër vite nga të dyja palët kanë spektër të gjerë sektorial, ku ndër fushat më kryesore të bashkëpunimit janë: Fusha e ekonomisë dhe tregtisë, fusha e rendit, sigurisë dhe mbrojtjes, fusha e drejtësisë dhe politikës së jashtme, fusha e energjisë dhe transportit, fusha e arsimit, kulturës, rinisë, sportit, turizmit dhe mjedisit, si dhe fusha e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

“Dy republika, një komb” – Për dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale

Në tetor të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mes dy vendeve, për vetëm dy vjet e gjysmë, janë arritur 58 marrëveshje bilaterale.

“Dy republika, një komb. Dy vjet e gjysmë, 58 marrëveshje bilaterale, me një qëllim: më shumë përfitime për qytetarët, më shumë për ekonominë”, ka thënë Kurti.

Kurti ndër të tjera ka shpalosur edhe detaje nga marrëveshjet e arritura, ku ka përmendur lehtësimet e lëvizjes mes dy vendeve, të arriturat në fushën e tregtisë e të arsimit.

“Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit”.

Ai mes tjerash tha se krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, u lehtësua edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, sepse sipas tij u thjeshtuan procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar.

“Hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative”, tha Kurti.

“Me dy zyra doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det. Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Kjo u ka ndihmuar drejtpërdrejt bizneseve tona që tashmë kanë kursyer nëntë milionë euro, në të njëjtën kohë që edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga rritje me 50% e dërgesave të Kosovës përmes Portit të Durrësit”, theksoi tutje i pari i Qeverisë së Kosovës.

“Sivjet shkëmbimet tona tregtare janë më të lartat ndonjëherë, teksa ka edhe tre muaj tjerë deri në përfundim të vitit financiar. Investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë. Në vitin 2019, ato ishin vetëm 15.2 milion euro, kurse në vitin 2022, u pesëfishuan duke arritur vlerë 79.7 milionë euro” shtoi kryeministri.

Kryeministri Kurti, tutje theksoi faktin se është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar. Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona”.

Por Kurti tha se ka ende punë. “Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë”, përfundoi Kurti.

‘Ftohja’ e marrëdhënieve mes Ramës dhe Kurtit “mollë sherri” mes (mos)bashkëpunimit të dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në korrik të vitit 2023, kishte refuzuar një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili do të vizitonte Prishtinën, nga ku do të fillonte edhe turin ballkanik në kuadër të përgatitjeve të samitit për Procesin e Berlinit.

Në një konferencë për media, Kurti kushtëzoi takimin me Ramën, ku i kërkoi atij zhvillimin e mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive duke theksuar se në të kundërtën nuk e takon Ramën.

Gjithçka kishte filluar pasditen e 13 qershorit të 2023, ku në një konferencë të jashtëzakonshme e në një kohë kur tensionet në veri të Kosovës ishin përshkallëzuar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Albin Kurti kishte refuzuar një takim më të ngushtë me të. Rama tha asokohe se ky nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme, por është koha që Kurti të reflektojë për rrugën që po ndjek në veri, që ka sjellë edhe reagim të ashpër nga ndërkombëtarët. Madje kreu i qeverisë shqiptare paralajmëroi edhe sanksionet që BE kishte përgatitur për Kosovën për shkak se Kurti nuk ka reaguar për uljen e tensioneve.

Në konferencën e korrikut, Kurti kishte arsyetuar refuzimin e takimit të ngushtë me Ramën.

“Jam në kontakt të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Edi Rama. E di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të një turi Ballkanik. Është thënë se ka të bëjë me përgatitje për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në mes të tetorit. Miqësisht i kam kërkuar Ramës se meqë do të rrijë e qëndrojë 2 ditë e 1 natë në Prishtinë, ta mbajmë dhe mbledhjen e 2 qeverive që u anulua pa arsye ndonëse ishte paraparë muaj më parë për datën 14 qershor në Gjakovë. Ishin 13 marrëveshje, të mos mbeten në sirtar. Në mënyrë që këto marrëveshje të mos ngelen në sirtar, unë i propozova Ramës që meqë po vjen këtë javë, le ta mbajmë edhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, t’i nënshkruajmë marrëveshjet të dakorduara dhe në mënyrë këto marrëveshje ti zbatojmë”, pati deklaruar Kurti.

Ndërsa, kur kryeministri Edi Rama u pyet për refuzimin e Kurtit për ta takuar atë nëse nuk zhvillohet mbledhja e dy qeverive, ai nuk pranoi të prononcohej ndërsa, kur pyetjet vijuan për anulimin e Ballkanit të Hapur, kryeministri u largua.

“Nuk kam lidhje me këtë, jam këtu për këtë vendim. Do të flas kur të jetë koha për të folur që është nesër në Prishtinë. Ju mund të mendoni se janë shumë të rëndësishme. Por unë jam këtu për të folur për studentët e mjekësisë”, kishte deklaruar Rama.

Nga ky zhvillim, takimet mes dy qeverive ngecën në vend.

Marrëveshje vetëm në letër

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka theksuar se në parim numri i marrëveshjeve të arritura nuk është për t’u lavdëruar kur marrim parasysh zbatimin e tyre.

“Pa marrë parasysh se sa marrëveshje janë arritur, numri ndonjëherë nuk do të thotë asgjë në qoftë se zbatimi i tyre cilësisht nuk paraqet përparim dhe nuk paraqet lehtësim të obligimeve të qytetarëve, realizim i të drejtave të tyre, dhe përshpejtime dhe intensifikime, pa qëllim të marrëdhënieve mes dy vendeve, prandaj numri si i tillë nuk është për t’u lëvduar”, ka theksuar Baraliu.

Baraliu tutje ka thënë se edhe marrëdhëniet mes dy kryeministrave nuk janë për të u lakmuar dhe se qytetarët e dy vendeve nuk duhet të jenë të kënaqur me marrëdhëniet mes tyre.

“Është evidente që këto qeveri një mbledhje që e kanë pasur mes vete të përbashkët, e kanë shtyrë, dhe tjetrën nuk po e bëjnë. Marrëdhëniet mes dy kryeministrave nuk janë për t’u lakmuar, evidente është jo vetëm baza si duket personale, por edhe konceptuale, kështu që nuk do të duhej të ishim të kënaqur as qytetarët e Kosovës dhe as qytetarët e Shqipërisë me marrëdhëniet ndërshtetërore dhe zyrtare të këtyre dy vendeve”, ka përfunduar Baraliu.

“Kurti nuk po i duron këshillat e Ramës”

Kurse Shkëlzen Maliqi, njohës i çështjeve politike, në një prononcim për Gazetën Enigma, ka theksuar se ka një zbehje të marrëdhënieve në mes të kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama.

“Ka zbehje dhe konfrontime, sidomos gjatë mandatit të Kurtit, sepse janë kthyer në çështje dhe rivalitet personal. Kurti nuk po i duron këshillat e Ramës, sepse i sheh si kritika dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës, dhe reagon me ndërprerje të vrazhdë të kontakteve. Edhe nëse Rama është nxituar, s’është dashtë t’i ikë bisedave, fundja Kurti është duke bërë tani atë çka e ka këshilluar Rama, që Kosova të rreshtohet me Perëndimin dhe ta bëj statutin e Asociacionit… Pra, Rama nuk paska qenë në gabim dhe dashakeq, por konstruktiv. Kurti është dashur të dialogoj me Ramën, jo të sillet me naze sovraniste”, ka deklaruar Maliqi për Gazetën Enigma.

Maliqi tutje ka theksuar se çështja mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikim edhe në rajon dhe se përpjeket e Ramës me Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit nuk janë çështje personale me Kurtin.

“Për më shumë çështja e ngecur e njohjes universale të Kosovës po e bllokon rajonin, situata e konfliktit të ngrirë godet stabilitetin dhe sigurinë e tërë rajonit, nuk është çështje e brendshme e jona. Rama është korrigjuar në një projekt që fillimisht acaroi raportet mes tij dhe Kurtit, po mendoj në Ballkanin e Hapur, por as Ballkani i Hapur, as Procesi i Berlinit, të cilit Rama i është kthyer, nuk kanë qenë kaprice personale por sprova për të nxjerr rajonin nga vendnumërimi, ku doemos duhet të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi”, tha ai.

Sipas tij Kurti do të duhej të pranonte se nuk ka qenë i drejtë në disa vlerësime strategjike dhe raportet me aleatët strategjik, dhe të ulet dhe sqarohet me Ramën./Gazeta Enigma

Related Articles