Kosova e vogël ‘e ngulfatur’ nga deponitë ilegale të mbeturinave

Kosova e vogël ‘e ngulfatur’ nga deponitë ilegale të mbeturinave


Shkruan: Arlinda Kqiku

Vite më parë, Lumi Morava e Binçës, i cili rrjedh nëpër fshatin Pogragjë, që gjendet pak kilometra larg Komunës së Gjilanit shfrytëzohej nga banorët si atraksion turistik e për peshkim.

Por sot, në vend se të kënaqesh me pamjen nga rrjedha e këtij lumi, banorët e zonës por edhe kalimtarët tmerrohen me gjendjen e krijuar aty.

Tashmë lumi është shndërruar në një deponi ilegale, ku përpos plehrave ajo që më së shumti bie në sy janë shishet e plastikës që e kanë ‘ngulfatur’ lumin.

Foto nga Enigma: Lumi Morava e Binqës rrjedh nëpër fushën e Anamoravës, nëpër Velekincë e deri në ngushticën e Konçulit kalon në Luginën e Preshevës ku pas 49 km gjatësi i bashkohet Morava e Vogël e Preshevës në afërsi të Bujanocit.


Banori i këtij fshati, Arton Fetahu thotë se përpos erës së tmerrshme që vjen nga lumi, banorët po kanë probleme edhe në kohën e të mbjellave në toka bujqësore.

“Mbeturinat e deponuara në lum kur ka reshje të mëdha na bëjnë dëme edhe në kultura bujqësore, sepse detyrimisht ato mbeturina të mbledhura kalojnë edhe nëpër ara”, thotë ai teksa shton se tashmë ky është bërë një problem kronik për gjithë fshatin që numëron rreth 1 mijë banorë.

Ai thotë se ata nuk kanë mundësi për t’i larguar mbeturinat, teksa organet kompetente po qëndrojnë duarkryq kundrejt këtij problemi, që ka shumë vite që është shfaqur në fshat.

Ndonëse i ri në moshë, Artoni thotë se ka dëgjuar nga prindërit e tij se dikur Lumi Morava e Binçës, shfrytëzohej edhe për peshkim.

“Unë s’e kam mbërri atë kohë, por kam dëgju se dikur banorët laheshin në këtë lum, dhe peshkonin”, thotë ai, teksa shton se sot një gjë e tillë është e pamundur.

“Po na pengon shume, e kemi pastru vet njëherë, por më nuk po kemi mundësi…por ajo pamje s’do shumë koment, është e tmerrshme. Gjatë verës bëhet edhe më e tmerrshme se vet lumi kundërmon erë”, shton ai.

Komunat me shifra minimale për deponitë, qytetarët fajësojnë ato për mos reagim


Komuna e Gjilanit, e cila është një nga komunat më të mëdha në Kosovë, me një sipërfaqe prej 525 km katror, përpos deponisë ilegale tek lumi Morava e Binçës, sipas statistikave zyrtare numëron edhe 49 deponi ilegale gjithsej.

Kështu kanë bërë të ditur për Enigmën nga kjo Komunë, teksa kanë njoftuar se gjatë viti 2022-23 janë eliminuar gjithsej 9 deponi.

Pamje nga deponia e mbeturinave në hyrje të fshatit Pogragjë.

Ndërkohë në kryeqytet, në Prishtinë, e cila sipas organizatave është një prej komunave me më së shumti deponi ilegale, kanë thënë se vetëm 7 deponi janë aktive. “Aktualisht kemi 7 deponi ilegale gjithsej, 5 te vogla, 2 të mëdha. Përveç sistemit të rregullt të menaxhimit të mbeturinave, Kryeqyteti  ballafaqohet me problemin e krijimit të deponive ilegale. Gjatë vitit 2023 janë larguar 5 deponi të mëdha. Gjithashtu janë larguar edhe mbi 200 deponi të vogla në qytet dhe periferi”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prishtinës dhënë Enigmës.

Sipas tyre gjithsej janë larguar rreth 115,035m3 dhe është pastruar një sipërfaqe prej 45000m2.

“Tani për tani kemi të evidentuar edhe dy deponi të mëdha dhe 5 deponi më të vogla. Të gjitha këto deponi planifikohet të largohen gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2024”.

Por njësoj nuk vlerësojnë edhe qytetarët e Kosovës, të cilët në një pyetësor të hapur nga BIRN, nga 82 respodent gjithsej, 31 prej tyre thonë se autoritetet nuk kanë ndërmarr asnjë veprim konkret për largimin e mbeturinave, të cilat i kanë raportuar ata.

Të pyetur nëse mendojnë se autoritetet vendore po marrin masa të mjaftueshme për të zgjidhur problemin e deponive ilegale, 73 prej repodentëve janë përgjigjur se nuk po marrin masa, kurse vetëm 9 kanë shprehur mendimin se po merren masat e duhura.

Ndërkohë qytetarët besojnë se autoritetet komunale janë fajtorët kryesor për gjendjen e krijuar në vend me mbeturinat.

Në pyetjen se kush mendoni se është më përgjegjës për problemin e deponive ileagle, autoritetet lokale ‘triumfojnë’.

Pamje nga një deponi ilegale e mbeturinave në rajonin e Gjilanit.



38 qytetar kanë thënë se autoritetet lokale janë fajtore, teksa 27 prej tyre fajin e kanë hedhur tek banorët e papërgjegjshëm, kurse 15 përgjigje thonë se autoritetet qendrore bartin përgjegjësitë kryesore për gjendjen e krijuar me mbeturinat në Kosovë.

E të pyetur lidhur me veprimet e tyre për t’i pastruar deponitë ilegale në vend, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë nga Komuna e Ferizajit për Enigmën kanë bërë të ditur se aktualisht janë 15 deponi Ilegale të mbeturinave, të identifikuara.

“Me zyrtarët e mjedisit mundohemi që përmes shqiptimin e gjobave mandatore ti dënojnë ndotësit  eventual, po ashtu kemi filluar me vendosjen e kamerave vëzhguese nëpër pikat ku i kemi larguar-pastruar deponitë ilegale të mbeturinave, ku më poshtë do ju përgjigjemi për numrin e deponive që janë larguar-pastruar”, bëjnë të ditur nga kjo komunë.

Ata thonë se “gjatë gjashtë muajve të fundit DSHPE në bashkëpunim me Operatorin Ekonomik  K.R.M “Pastërtia” i kemi larguar mbi 17 deponijë ilegale të mbeturinave, duke përfshirë deponijë të ngurta – të përziera, ku këto deponijë kanë qenë të mëdha, të mesme dhe të vogla”.
Kurse nga komuna e Kamenicës kanë numëruar 10 deponi ilegale gjithsej.

Nga komuna kanë thënë poashtu se “në kohët e fundit kemi pastruar së paku 5 deponi ilegale, të mesme dhe të vogla që i kemi pastruar, ndërsa nga qytetarët i kemi pasur dy raste të raportimit”.

Mos raportimi i qytetarëve – shpërfaqje e mosbesimit apo dëshpërimit në institucione?

Përpos Komunës së Kamenicës asnjëra nga komunat e kontaktuara nuk ka dhënë informata lidhur me numrin e raportimeve që qytetarët kanë bërë për deponitë ilegale.

Ndërkohë në pyetësorin e realizuar nga BIRN,  kur qytetarët janë pyetur se a kanë hasur deponi ilegale në vendbanimin e tyre, teksa 96.34 % kanë dhënë se po, kurse 3.66% janë përgjigjur me jo.

Nga ata që janë përgjigjur me po, vetëm 46.84%, apo 42 qytetar kanë thënë se e kanë raportuar deponinë tek autoritetet përkatëse.

E këto shifrat e ulëta të raportimit të qytetarëve, sipas Drejtorit të organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, janë si pasojë e humbjes së besimit të qytetarëve në institucione.

“Hezitimi i qytetarëve për të raportuar deponitë ilegale të mbeturinave në Kosovë mund të atribuohet kryesisht në humbjen e besimit në institucionet lokale dhe qendrore për të vepruar efektivisht ndaj këtyre problemeve. Kjo mungesë besimi reflekton një perceptim të gjerë se institucionet mund të jenë të paafta ose të pavullnetshme për të ndërmarrë masa adekuate për të luftuar kundër deponive ilegale dhe për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve”, thotë Hasanaj.

Hasanaj tutje shton se “Mungesa e kujdesit dhe përgjegjësisë kolektive për mjedisin mund të përkeqësojë ndjeshëm situatën e deponive ilegale dhe të sfidojë përpjekjet për të adresuar këtë problem në një mënyrë të qëndrueshme”.

Organizatat thonë se janë mbi 1000 deponi ilegale në Kosovë

Drejtori i Organizatës “Let’s do it Kosova”, Luan Hasanaj thotë se përkundër deklarimeve të autoriteteve, në Kosovë aktualisht gjenden mbi 1 mijë deponi ilegale të mbeturinave.

“Ky numër i lartë i deponive ilegale tregon për një sfidë serioze në menaxhimin e mbetjeve dhe mjedisin në vend. Një problem kyç që vërehet është mungesa e kategorizimit të deponive ilegale, ku nuk bëhet një dallim i qartë mes grumbujve të vegjël të mbeturinave dhe atyre me mijëra tonelata. Kjo mungesë e një sistemi të qartë të kategorizimit mund të bëjë më të vështirë identifikimin, monitorimin dhe trajtimin e deponive në mënyrë efektive”, thekson ai.

Pra sipas tij në Kosovë ekzistojnë më shumë deponi ilegale sesa ato që janë proklamuar zyrtarisht nga institucionet. “Raportet publike shpeshherë nuk përfshijnë të gjitha lokacionet e mbeturinave që janë identifikuar dhe raportuar nga vullnetarët, veçanërisht në zonat më të largëta dhe në raste të mbeturinave që ndodhen në lumenj”, shton tutje Hasanaj.

Sikurse përgjigjet e respodentëve, edhe Hasanaj beson se institucionet lokale në Kosovë janë ato që mbartin përgjegjësinë kryesore për deponitë e shumta ilegale të mbeturinave në vend.

“Këto institucione kanë dështuar të parandalojnë individët dhe kompanitë që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme, veçanërisht ata që përdorin mjete motorrike për të transportuar dhe hedhur mbeturinat në lokacione të ndryshme. Kjo sjellje kontribuon në rikthimin dhe rritjen e deponive ilegale pas përpjekjeve për pastrimin e tyre. Mungesa e masave të mjaftueshme parandaluese dhe dënuese nga ana e institucioneve lokale ndikon negativisht në menaxhimin e mbetjeve dhe në mbrojtjen e mjedisit në Kosovë”, thekson ai.

Për të adresuar këtë problem, sipas Hasanajt institucionet duhet të nisin një fushatë të madhe për ruajtjen e hapësirave publike, të hartojnë një plan për trajtimin e mbetjeve ndërtimore, të zbatohen ligjet ekzistuese,si dhe të rritet numri i inspektorëve mjedisor. / GAZETA ENIGMA.


Related Articles