Diskriminimi institucional e sistematik, diskriminimi në arsim e punësim, e deri tek shërbimet e cenuara publike dhe përfaqësimi i mangët politik, janë vetëm disa nga problemet me të cilat çdo ditë balladaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës, shkruan Gazeta Enigma.
Kështu thotë në një intervistë për Gazetën Enigma, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, i cili potencon se Serbia nuk respekton as të drejtat themelore të shqiptarëve, sic është përdorimi i gjuhës shqipe.
“Një nga problemet më të mëdha është mungesa e të drejtave themelore të përdorimit të gjuhës shqipe, diskriminimi në ndarjen e burimeve shtetërore dhe përpjekjet për të ndryshuar strukturën demografike përmes manipulimeve e pasivizimit të adresave që Komiteti i Helsinkit në Beograd e ka cilësuar “spastrim etnik me mjete administrative”.
Ai thotë se “diskriminimi institucional e sistematik është i pranishëm në çdo aspekt të jetës sonë, nga arsimi dhe punësimi deri te shërbimet publike dhe përfaqësimi politik”.
E kundrejt gjithë këtyre padrejtësive që u bëhen shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po qëndron e heshtur bashkësia ndërkombëtare, sipas Mustafit.
“Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është zhgënjyese dhe e pakuptueshme. Ndërkohë që në shumë raste të tjera të drejtat e njeriut mbrohen me forcë, çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës shpeshherë kalon në heshtje. Por, ka edhe përfaqësues ndërkombëtar të cilit i përshëndes, ka reagime të denja në përputhje me situatën. Megjithatë mungesë e reagimit të furishëm e të fuqishëm ndërkombëtar vetëm sa e përkeqëson situatën dhe rrit frustrimin e shqiptarëve në Luginë”.
“Protesta u pengua nga Beogradi – pati edhe arrestime”
Për diskriminimet që ju bëhen shqiptarëve nga Serbia, u mbajt një protestë në Bujanoc të hënën e 12 gushtit.
Sipas Mustafit protesta mori vëmendjen e duhur, porse u tentua të pengohet nga organet e Serbisë. Madje sic thotë ai kishte edhe arrestime të padrejta të protestuesve para nisjes së protestës.
“Pati tentativa për ta ndaluar protestën, sidomos përmes presioneve policore dhe të arrestimeve të padrejta që u bënë para saj. Këto veprime janë të papranueshme dhe tregojnë qartë përpjekjet për të kufizuar zërin e shqiptarëve në Bujanoc dhe për të ndaluar protestën e tyre të ligjshme për të drejtat dhe dinjitetin e tyre, për espektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore”, ka thënë Mustafi për Enigmën.
Por ai u shpreh i kënaqur me vëmendjen që mori protesta.
“Protesta në Bujanoc mori vëmendje të konsiderueshme dhe kjo shifet përmes reagimit të zyrtarëve shtetëror të Serbisë. Ka qenë një shfaqje e fuqishme e solidaritetit dhe e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës e posaçërisht në Komunën e Bujanocit. Ndërsa pjesëmarrja ka qenë e madhe, duke përfshirë qytetarë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, gjë që tregon përkushtimin e shqiptarëve ndaj çështjeve të identitetit dhe dinjitetit. Kjo është çështje që prek të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë, mesazhet e protestuesve kanë qenë të qarta dhe të artikuluara mirë, duke kërkuar drejtësi, barazi dhe respekt për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, potencoi ai.
“Kjo protestë reflekton një zë të përbashkët që nuk mund të injorohet, dhe përbën një hap të rëndësishëm në përballjen me padrejtësitë e vazhdueshme që po përballon populli ynë”, tha Mustafi.
Mustafi kërkon nga Kosova e Shqipëria të ndalojnë diskriminimin sistematik të shqiptarëve të Luginës
Tutje ish kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës kërkon nga Shqiperia e Kosova “që të përdorin të gjitha mjetet diplomatike dhe politike për të ndalur diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.
Sipas tij është e nevojshme që të dy qeveritë të bëjnë presion ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe të kërkojnë respektimin e të drejtave të shqiptarëve, sipas standardeve evropiane.
“Solidariteti kombëtar është jetik në këto momente dhe ndihma konkrete nga Prishtina dhe Tirana është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave tona”, shtoi ai.
Sa i përket përkrahjes së Kosovës, Mustafi citoi ekzekutvitin se“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”. / GAZETA ENIGMA.