Serbia s’ndalet duke lobuar kundër shtetit të Kosovës, “përkledhja” e BE-së ndaj tyre vazhdon

Serbia s’ndalet duke lobuar kundër shtetit të Kosovës, “përkledhja” e BE-së ndaj tyre vazhdon

Bashkimi Evropian po qëndron i heshtur karshi lobimit të vazhdueshëm që Serbia dhe autoritetet e saj po i bëjnë shtetësisë së Kosovës, nëpër vende të ndryshme të botës, shkruan Gazeta Enigma.

Përmes këtyre veprimeve, Serbia po vazhdon të shkel Marrëveshjen e Ohrit, konkretisht nenin katër i cili thotë se Serbia “nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Së fundmi, Beogradi zyrtar ka dërguar zonjën e Parë, Tamara Vuçiq, në Nairobi, për të kundërshtuar implikimet e njohjes nga Kenia ndaj Kosovës, pas shqyrtimit të presidentit William Ruto për të njohur Kosovën.

Ky shtet nga Afrika kishte njohur pasaportat e Kosovës, veprim që u pa në diplomaci si një shtrim i rrugës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo lëvizje e Serbisë shkel për të disatën herë marrëveshjen e vitit 2023 mes Kosovës dhe Serbisë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, e cila e përcakton qartë se Kosova dhe Serbia nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare.

Edhe pse kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme, Serbia vazhdon të mos e respektojë atë.

Ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq kishte dërguar një letër te 27 vendet anëtare të BE-së ku thotë se Serbia nuk do të zbatojë detyrimet e dala nga kjo marrëveshje.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se Serbia ka shkelë së paku 8 nene nga 11 të marrëveshjes bazike.

Serbia s’e ndal politikën destruktive ndaj Kosovës

Politologu Fidan Ukaj, tha se Serbia po e vazhdon politikën e saj destruktive dhe se faktori ndërkombëtar duhet të jetë më i ashpër ndaj Serbisë për shkeljet që po i bën.

“Serbia dhe Kosova e kanë pas një dakordim, që ështe mos pengimi i rrugës së Kosovës, qoftë në anëtarësim në organizata të reja apo njohje të reja. Megjithatë, Serbia po e vazhdon politikën e saj destruktive dhe po e shkel akordimin për të cilin është zotu. Mendoj se faktori ndërkombëtar duhet me qenë mërigoroz, e po ashtu edhe zëri i diplomacisë kosovare duhet të jetëmë i madh në arenën ndërkombëtare, duke e faktuar me argumente të cilat ekzistojnë. Edhe pse faktori ndërkombëtar ka qenë propozues i këtij plani të Brukselit dhe Ohrit, megjithatë po e toleron Serbinë”, tha ai në një prononcim për Gazetën Enigma.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit parlamentar për Punë tëJashtme, Xhaviti Haliti, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se Kosova vetëm mund të ankohet për këto shkelje, dhe se masat ndaj shtetit serb janë në duar të BE-së.

“Bashkësia ndërkombëtare po kërkon me u zbatu marrëveshjet nga të dyja palët. Kuptohet që institucionet e Kosovës duhet të mbledhin informata nëqoftë se ka shkelje, atëherë masat janë në duar të Bashkimit Evropian. Ne vetëm mund të ankohemi që Serbia po shkel marrëveshjet”, tha Haliti për Gazetën Enigma.

Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, tha për Gazetën Enigma se Serbia po lobon kundër Kosovës pasi nuk po dëshiron ta pranoj realitetin politik në të cilin gjendet.

“Shkuarja e Zonjës së parë të Serbisë është shkelje e gjitha marrëveshjeve që kanë arritur nga dialogu, dhe kjo i bie se Serbia assesi nuk po dëshiron ta pranoj realitetin. Sa i përket sanksioneve, ajo varet nga Bashkimi Evropian, pasiqë Serbia është e obliguar ta zbatoj marrëveshjen, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE”, tha ai.

Tutje, ai tha se nuk beson që do të ketë ndonjë ndryshim në këtë situatë politike, pa një BE që e ndërron këtë çasja politike të derimëtanishme.

“Kosova duhet ta intesifikoj diplomacinë te partnerët e fuqishëm, sidomos evropian, që të mund të kemi implikim në Serbi që ta ndaloj këtë çmenduri, sepse kjo nuk e relakson normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.Pavarësisht se çfarë po bën Serbia, unë nuk besoj që do të ketë normalizim të raporteve, derisa në BE nuk ndodh një ndryshim i madh politik, sepse këtë e ka vërejt Serbia se nuk ka lëvizje serioze dhe për këtë kjo marrëveshje vazhdon të jetë kështu”, përfundoi ai.

Njohësi i politikave ndërkombëtare, Amir Shabani, tha se Serbia prej kohësh nuk po e respekton marrëveshjen mes dyja vendeve, dhe se BE duhet të merr masa për të shtyrë Serbinë në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Shkuarja e zonjës së parë serbe në Kenia nuk përputhet me asnjë normë protokollare dhe diplomatike sa i përket negocimit për ndonjë çështje të caktuar bilaterale, në këtë rast pengimin ndaj çdo progresi të Kosovës. Serbia prej kohësh nuk respekton asnjë marrëveshje dypalëshe në raport me Kosovën, madje Vuçiq gjatë Samitit të Evropës Juglindore në Dubrovnik tha që “nuk ekziston Republika e Kosovës”. Deklaratat e tilla janë mjaftë tendencioze dhe ngacmim drejt destabilizimit rajonal, andaj BE-ja duhet ndërmarur hapat e duhur për ta nxitur Serbinë në njohjen e Pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që të realizohen lirshëm marrëveshjet dhe këmbimet tregtare në rajon”, tha Shabani për Gazetën Enigma.

/Gazeta Enigma/

Related Articles