Raporti i KE-së për Kosovën– Progres apo regres?

Raporti i KE-së për Kosovën– Progres apo regres?

Raporti i Progresit i hartuar nga Komisioni Evropian këtë vit për Kosovën, nënvizon se autoritetet e Kosovës mbeten të përkushtuara në rrugën drejt integrimit evropian, derisa raporti thekson se Komisioni është i gatshëm për të përgatitur një opinion për aplikimin e saj, kur një gjë e tillë të kërkohet nga Këshilli, shkruan Gazeta Enigma.

Situata në Veri sipas KE-së ka mbetur e tensionuar, ndonëse sipas tyre ka pasur progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Arritjet e dukshme përfshijnë marrëveshjet historike të dakorduara në shkurt dhe mars, 2023 [për normalizimin e marrëdhënieve], hapat përgatitorë në themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, avancimet në sektorin e energjisë dhe zotimet për adresimin e çështjes së personave të pagjetur”, thuhet në raport.

Sipas KE-së, Kosova ka shënuar përparim edhe luftën kundër krimit të organizuar, teksa edhe mjedisi i biznesit në vend është përmirësuar.

Ndërkohë raporti thekson nevojën për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Kurti e sheh vetëm anën pozitive

I gjithë raporti është pozitiv, sipas Kryeministrit Albin Kurti i cili thotë se “në asnjë fushë të vlerësuar nga kriteret themelore nuk ka regres”.

“Vetëm në dy fusha nuk ka progres, e në të gjitha të tjerat, 35 sosh gjithsej, ka progres, ku më shumë e ku më pak. Në 10 prej tyre kemi progres të mirë”, deklaroi kreu i Qeverisë pasi pranoi raportin.

Opozita e konsideron si shqetësues dhe alaramues raportin

E pak më ndryshe se Kurti, e ka lexuar raportin kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai madje e quajti raportin si “më negativin” që e ka marrë Kosova ndonjëherë.

“Mesazhet kryesore që dalin prej tij janë të qarta: Kosova mbetet nën sanksione! Kosova është duke u keq-qeverisur! Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi!”, shkroi Krasniqi pas publikimit të raportit, duke thënë se tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, “janë në stagnim apo regres”, ka thënë ai.

“Raporti është shqetësues dhe alaramues, e të cilit nuk i gëzohet askush, por i cili kërkon vëmendjen dhe reagimin e qytetarëve. Lajmi i vetëm i mirë në këtë mes është se 9 shkurti po afrohet, dhe me të, edhe fundi i kësaj Qeverie”, shtoi Krasniqi.

“Qeveria nuk po pranon gabimet”

Se nga raporti ka më shumë të këqija sesa të mira, e thotë edhe analisti politik Dritëro Arifi.

Ai, në një intervistë për Gazetën Enigma, tha se raporti ka gjetur “jashtëzakonisht shumë dobësi në menaxhim, në administratë dhe në tentim kontrollimi të mediave.

“Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë gabimin, pra ky është problemi. Asnjë qeveri dhe as kjo, që tre vite nuk po i pranon sugjerimet që po i jep Komisioni Evropian dhe kjo i bie që kur nuk e pranon gabimin, nuk ke si ta përmirësosh. Pra prej gabimit të vogël, po shkojmë në gabime më të mëdha. Këtë po e shoh problematikë, pasi qeveria nuk është e gatshme t’i pranojë sfidat. Kjo Qeveri nuk po e ka atë qëllim me u përmirësu, por vetëm me u dokë mirë”, tha Arifi.

Opinionisti ngriti alarmin se të rinjtë po ikin nga vendi, gjë që sipas tij tregon se tregu i punës nuk është siç e ka paraqitur Qeveria.

Sulmin në Banjskë, Raporti i Progresit e cilësoi si “përshkallëzimin më të rëndë në vitet e fundit”.

Megjithatë, në listën e krizave të shkaktuara në veri, raporti ka renditur edhe disa veprime të Qeverisë Kurt, siç janë: shpronësimin e tokave nga Qeveria në veri; miratimi i një rregulloreje të Bankës Qendrore për transaksionet me para të gatshme, që ndikoi negativisht të serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera joshumicë; operacionet policore për mbylljen e zyrave të institucioneve të drejtuara nga Beogradi, që ofronin ndihmë për komunitetet joshumicë dhe ndalimi i vazhdueshëm i importit të mallrave me origjinë serbe.

Për këto, Arifti thotë se nuk është për qëllimin se pse janë marrë vendimet, por mënyra se si janë marrë vendimet.

“Pra kjo është problematika e cila nuk është elaburuar mjaftueshëm nga Qeveria. Po duket sikur Qeveria nuk po dëshiron me u marrë me zgjidhjen e problemeve, sepse nëse ne jemi nën masa nga BE-ja, ne duhet ta gjejmë një zgjidhje  se si t’i largojmë masat”, shprehet ai.

“Ne duhet ta përjashtojmë atë se çka po kërkon BE-ja nga Serbia. Ne duhet të fokusohemi në atë se çka po kërkon BE-ja nga Kosova”.

Zgjerimi – temë e zbehtë në raportin e sivjetmë

Raporti i Progresit nuk ka folur shumë për zgjerimin, përfshirë këtu Kosovën dhe aplikimin e saj. Aplikimi i Prishtinës për t’u bërë pjesë e BE-së po mbledh pluhur në sirtarët e Këshillit, ku shtetet anëtare nuk janë ende shumë të gatshme për t’ia dërguar Komisionit për një opinion për mundësitë e anëtarësimit – të paktën jo para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit në vend.

Arifi, i cili është po ashtu profesor i shkencave politike, thotë se zgjerimi do të bëhet, por jo në një periudhë të menjëhershme.

“Ndoshta 2030-a është shumë afër, sepse është shumë vështirë që të anëtarësohemi në pesë vitet e ardhshme. Anëtarësimi i Kosovës nuk do të bëhet vetëm pse e përfundon dialogun me Serbinë, pasi që integrimi evropian është edhe qasje e standardeve të BE-së. Pra është vështirë që të ndryshohet mentaliteti politik në Ballkan, që përnjëherë me u bo demokrat, me investu në sundim të ligjit, në transparencë e në rregulla të tjera”.

Kryeministri Kurti tha të mërkurën se anëtarësimi në BE mbetet synimi strategjik i Kosovës. Ai tha se është koha që Kosova të vlerësohet në kushte të barabarta për ta marrë statusin e kandidatit, “të cilin e meritojmë”.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. /GAZETA ENIGMA

Related Articles