Çmimet e naftës në Kosovë kanë pësuar luhatje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, të ndikuara nga faktorë të ndryshëm si tregjet ndërkombëtare, politikat fiskale dhe masat rregullatore të qeverisë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në përpjekje për të mbrojtur konsumatorët dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka ndërmarrë masa për të rregulluar çmimet e derivateve të naftës.
Për shembull, në gusht të vitit 2024, MINT vendosi një marzhë tregtare maksimale prej 2 centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër për shitjen me pakicë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe konkurrencës në treg.
Pavarësisht këtyre masave, çmimet e naftës në Kosovë vazhdojnë të jenë subjekt i ndryshimeve të shpeshta, të ndikuara nga lëvizjet në tregjet globale dhe faktorë të tjerë ekonomikë. Këto luhatje kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve, duke ndikuar në koston e transportit, prodhimit dhe shërbimeve të tjera të lidhura me energjinë.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjanin, i cili ka deklaruar se aktualisht në Kosovë ka pasur një stabilitet të çmimeve të derivative.
Në dy muajt e fundit nuk ka pasur luhatje të çmimeve tha Berjani.
Tutje ai ka shtuar se Kosova ka çmimet më të lira në rajon pas Maqedonisë së Veriut. Çmimi i një litri naftë në vend sillet nga 1.17 deri në 1.27 euro, ndërsa benzina nga 1.19 deri në 1.26 euro, derisa thekson se tash për tash nuk pritet që të ketë rritje të çmimeve.
“Sa i përket çmimeve të derivateve të naftës në tregun kosovar, që dy muaj, nuk ka pasur ndryshim, tregu ka qenë shumë stabil edhe çmimet kanë qenë shumë në nivelin e duhur. Rast konkret një litër derivat i naftës është 1.17 deri 1.27, benzina 1.19 deri 1.26. Lëvizje ka pasur, por kanë qenë lëvizje të vogla. Për qytetarët tanë çmimi i derivateve i naftës gjithmonë ankohen se është i shtrenjtë unë i kuptoj, por Kosova me çmime është në regjion më e lira, pas Maqedonisë Veriore. Çmimet i ceka në Maqedoni sot sillen rreth 1 euro e 10 centë, ndërsa në shtete në regjion Shqipëri, Serbi është 1.80-90. Për standardin çfarë e kemi, çmimi kishte me qenë real 1 euro”, ka thënë ai.
Berjani tutje ka thënë se “luftërat të cilat kanë ndodhur, Amerika nuk ja jep atë mundësi e as atë kënaqësi askujt të rrit derivatet e naftës, nuk kanë ndikuar luftërat, por është vetëm reduktim i prodhimit të naftës kur ka reduktim e ceka më herët në mënyrë automatike ka edhe rritje të çmimeve në tërë globin”.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovi Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës ka përgëzuar Qeverinë Kurti për miratimin e Ligjit për Naftën.
“Sa i përket ligjit të naftës pas një dekade apo më shumë apo më shumë se një dekadë, 12 vite e kaloi kryeministri Kurti Ligjin e Naftës gjithashtu punën të cilën e ka bërë të mirë edhe Rozeta Hajdari këtë është për ta vlerësuar sepse u tentua nga ish-qeveritë, ish-ministrat u tentua që Ligji i Naftës të ketë vetëm dy tre persona të ketë një monopol, por që nuk u arritën. Ligji i naftës kaloj, sektori i naftës është në nivelin e duhur rast konkret një licencë më herët është paguar 2000-3000 euro, sot një licencë për import e paguajmë vetëm 50 euro, kështu kalibrimi i pishtoleve ka qenë 36 euro, tashmë paguhet 12 euro, që do të thotë sektori i naftës është në nivelin e duhur”, deklaroi Berjani për “Enigmën”.
“Ne një kërkesë e kemi bërë tek kryeministri Kurti, kur prapë apelojë dhe kërkojë që ajo kërkesë të merret parasysh të mos lejohen të ndërtohet pika e karburantit pa kriter. Shoqata e Naftëtarëve nuk është kundër ndërtimit të pikave të karburantit, por kërkojmë që të këtë kritere siç është kriteri në Bashkimin Evropian, shembull po e marr largësia nëpër rrugë magjistrale 15km, komunale 10km në autostradë 25klm. Ne ju kemi drejtuar me shkrim kryeministrit dhe besoj dhe shpresoj që do ta kemi një përgjigje pozitive’, ka deklaruar Berjani.
“Të gjitha kërkesat në ligj janë parashikuar dhe janë në ligj, kështu që sektori i naftës është në nivelin më të duhur i rregulluar me ligjet i cili i ka Bashkimi Evropian”, ka thënë ai. /Gazeta Enigma/