“Kuvendin e Kosovës e mbulon pluhuri” – Punonjëset teknike në grevë qe 9 javë, kërkojnë rritje të pagave

“Kuvendin e Kosovës e mbulon pluhuri” – Punonjëset teknike në grevë qe 9 javë, kërkojnë rritje të pagave

Nuk janë të paktë punëtorët e Kosovës që vazhdimisht janë në kërkim të kushteve më të mira të punës, e veçmas rritje të pagave, porse këto kërkesa po kalojnë “në vesh të shurdhët”, shkruan Gazeta Enigma.

Përpos paknaqësive të sidikatave të punonjësve të sektorin publik, tash e 3 muaj edhe punonjëset teknike të Kuvendit të Kosovës janë në grevë.

Ato po kërkojnë rritje të pagave, dhe përmirësim të kushteve të punës.

Lidhur me këtë Gazeta Enigma ka kontaktuar me kryetarin e Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemin, i cili ka theksuar se punëtoret pa u përmbushur këto kritere nuk kthehen në vendet e tyre të punës.

“Dje kemi hyrë në muajin e tretë. Kërkesa e këtyre punëtorëve është paga 550 euro dhe trajtim më i mirë dhe më i dinjitetshëm, respektim i ligjit të punës dhe ligjeve tjera“, ka thënë ai.

Tutje Azemi tregon se Kuvendi i Kosovës nga dita e enjte do të jetë pa operator, pasi këtij të fundit i skadon kontrata.

“Kësaj kompanie që ka qenë operator nesër i skadon kontrata dhe Kuvendi nuk ka zgjedh operator të ri dhe që nga sot deri në cilën ditë nuk e di ky institucion mbetet pa operator”, tha ai.

Kurse Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, vlerëson se punonjëset e Kuvendit që janë në grevë kanë kushte të mjerueshme të punës, andaj dhe po protesotojnë.

“Siç dihet gratë që janë në grevë, të cilat pos pagës së ulët që e marrin, jetojnë në kushte të mjerueshme brenda hapësirave të Kuvendit. Kam qenë pjesë e Kuvendit për vite me radhë dhe e di si jetojnë. Ato bukën e hanë, kafen e pinë, në ambiente ku ruhen serverët e Kuvendit. Këto gra kanë qëndru kur janë larguar prej atyre dhomave, kanë qëndru edhe në kthinat mbrapa tualeteve”, është shprehur ai.

Ndërkaq lidhur me këtë ai ka treguar se në të kaluarën kanë intervenuar dy-tre deputetë që një gjë e tillë të mos vazhdojë.

“Pra kur ka vullnet politik, mund të ndërhyhet pavarësisht se i përkasin sektorit privat”, u shpreh tutje ai.

Gazeta Enigma ka provuar të marrë një përgjigjje lidhur me këtë edhe nga zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi ata nuk kanë kthyer përgjigjje. /Gazeta Enigma

Related Articles