I pari i Qeverisë, Albin Kurti e përmbylli vitin 2024 duke paralajmëruar sulme të reja nga Serbia. Ai tha se “Metoda të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxit fort pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt”, shkruan Gazeta Enigma.
E që nga sulmi i fundit në Iber Lepenc, nuk ka pasur tensione në veri të vendit, teksa rreziku ende është real.
Së fundmi asambleja parlamentare e NATO-s ka paralajmëruar rrezik në Kosovë, dhe kërkohen urgjentisht të tërgohen trupa shtesë në shtetin kosovar.
Lord Mark Lancaster nga Britania e Madhe, potencoi se duke marrë parasysh zhvillimet në rajon “prania e forcave të NATO-s në Kosovë mund të forcohet”.
“Sulmet serbe në Kosovë nuk kanë përfunduar”
E përpos Kurtit edhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka theksuar të martën se kërcënimet që i bëhen Kosovës janë rrjedhojë e qasjes agresive dhe hegjemoniste të Serbisë.
Maqedonci theksoi se sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë dhe ai i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike, janë vetëm disa nga sulmet, dhe nuk pritet të jenë të fundit ndaj Kosovës.
“Është thënë edhe nga kryeministri edhe nga unë shumë herë që kërcënimi dhe rreziku nuk ka përfunduar vetëm me tentativën e aneksimit të territorit tonë më 24 shtator, 2023 dhe as me sulmin terrorist kundër infrastrukturës kritike më 29 nëntor të vitit të kaluar”, u shpreh Maqedonci.
Ministri ndër të tjera vuri në dukje se Serbia vijon të mbrojë grupin që kreu sulmin në Banjskë dhe faktori ndërkombëtar sipas tij, nuk ka ushtruar presion që Beogradi t’i ekstradojë drejt Kosovës.
“Rreziku dhe kërcënimi mbetet, përderisa mbetet qasja hegjemoniste dhe agresive e politikës serbe në raport jo vetëm me Republikën e Kosovës por edhe fqinjët e tjerë, përderisa Serbia mban në Kushtetutën e saj Republikën e Kosovës si pjesë territoriale të saj. Kjo nënkupton që është bazamenti i gjithë problemit, aspekti politik që Serbia ka në raport me fqinjët veçanërisht me Republikën e Kosovës.
Sipas tij në aspektin e sigurisë, është gjithnjë një kërcënim dhe rrezik fakti që grupi që tentoi aneksimin e territorit të Kosovës më 24 shtator 2023 dhe që vazhdon aktivitetet kundër vendit, mbetet i lirë në Serbi, pa u ndëshkuar.
Ai theksoi gjithashtu mungesën e presionit ndërkombëtar për të siguruar përgjegjësinë e këtij grupi dhe për ta ekstraduar atë në Kosovë.
Çka duhet të ndërmarrin autoritetet kosovare në këtë situatë?
Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, shpjegon disa hapa që autoritetet kosovare duhet të ndërmirren për të ofruar siguri për qytetarët dhe vendin në përgjithësi.
“Duhet të ndodhë rritja e bashkëpunimit me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë : – KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, ka një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit. Kosova duhet të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me KFOR-in dhe të sigurohet që trupat shtesë të NATO-s të dislokohen shpejt dhe në pika strategjike. – Bashkëpunimi me BE-në dhe SHBA-në është i domosdoshëm për të forcuar mbështetjen politike, diplomatike dhe ushtarake”, theksoi ai, duke shtuar se duhet të ndodhë edhE “Forcimi i kapaciteteve të sigurisë së brendshme”.
“Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) duhet të jenë në gatishmëri të lartë dhe të përmirësojnë kapacitetet e tyre për t’iu përgjigjur çdo provokimi në bashkëpunim me KFOR. – Investimi në inteligjencën ushtarake dhe civile për të monitoruar lëvizjet potencialisht të rrezikshme me metodologji të avancuar doktrinarë”, ka thënë Shala për Enigmën.
Gjithashtu, Shala theksoi se përfshirja e ndërkombëtarëve është e domosdoshme në veprimet që Kosova ndërmerr.
“Kosova duhet të përfshijë partnerët ndërkombëtarë në çdo hap të rëndësishëm dhe të kërkojë që Serbia të përmbahet nga çdo veprim provokues. – Përmes diplomacisë, duhet të sigurohet që vendet e tjera të mos i japin mbështetje Serbisë në veprime që cenojnë stabilitetin rajonal dhe të rikthehet rendi dhe ligji brenda marrëveshjeve ndërkombëtare për adresimin e pikave të ekstradimit të terroristit Radojçicit tek autoritetet vendore”, shton ai.
Tutje ai thorë se “Angazhimi i komunitetit ndërkombëtar për sanksione ndaj Serbisë (nëse është e nevojshme): – Nëse ka prova të qarta për përgatitje agresioni, Kosova duhet të kërkojë nga partnerët ndërkombëtarë të vendosin sanksione ose të ushtrojnë presion diplomatik ndaj Serbisë”, potencoi eksperti i Sigurisë.
Tutje, Shala për Enigmën deklaroi se autoritetet duhet të shmangin panikën tëk qytetarët duke i informuar për situatën.
Kurse njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, thotë se NATO duhet ta antëtarësoj urgjentisht Kosovën, me qëllim të parandalohen sulme të tjera.
‘NATO duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme, nuk e ka ruajtur kufirin KFOR-i, përkundrazi ka kërkuar tërheqjen e trupave të Policisë së Kosovës nga veriu, dhe po ta kishte dëgjuar Qeveria jonë sulmi Banjska do të ishte fatal, sepse do të bëhej aneksimi i veriut. NATO – duhet ta pranojë Kosovën menjëherë, pa vonesa e pa parakushte, duhet të kemi anëtarësim të plotë sepse rreziqet janë aktuale nga Rusia e cila provokon, dhe destabilizon rajonin përmes Serbisë. Sulme hubride çdo ditë kemi nga Serbia, u sulmua komuna, stacioni policor, Ibër – Lepenci, por sulme me rreziqe të mëdha dhe të drejtpërdrejta nuk mund të ndodhin nga Serbia”, u shpreh Baraliu për Enigmën./GazetaEnigma/