Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka prezantuar raportin preliminar për personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe ata që humbën jetën si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.
Sipas të dhënave të raportit, për periudhën nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999 janë dokumentuar gjithsej 12,230 viktima të luftës në Kosovë.
Kurti bëri të ditur se në mesin e viktimave janë 1,047 fëmijë të vrarë, 94 fëmijë që humbën jetën si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa 100 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me dhunë.
Ai theksoi se këto shifra nuk përfaqësojnë vetëm statistika, por jetë të ndërprera dhe familje të goditura rëndë nga lufta. Sipas tij, vrasja e mbi një mijë fëmijëve mbetet një nga plagët më të rënda të shoqërisë kosovare dhe një dëshmi e pasojave shkatërruese të luftës.
Kryeministri në detyrë deklaroi se të dhënat e mbledhura pasqyrojnë përmasat e dhunës dhe krimeve të kryera gjatë luftës, ndërsa nënvizoi se lista e publikuar është ende preliminare dhe do të plotësohet me dokumente e dëshmi të reja.
Sipas tij, qëllimi është ndërtimi i një baze të besueshme institucionale, e cila do t’i shërbejë ruajtjes së së vërtetës historike, drejtësisë dhe kujtesës për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.
