Rizvanolli se mohon që gjatë dimrit na presin sfida në sektorin e energjisë, tregon masat emergjente që i kanë ndërmarrë

Rizvanolli se mohon që gjatë dimrit na presin sfida në sektorin e energjisë, tregon masat emergjente që i kanë ndërmarrë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur edhe dy vendimet e tjera të Qeverisë së Kosovës në sektorin e energjisë, të cilat synojnë parandalimin e rritjes së kostove dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm gjatë muajve të ardhshëm.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli ka thënë se njëri nga vendimet parasheh vendosjen e obligimit të përkohshëm të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për sigurimin e një pjese të kapaciteteve ndërkufitare për periudhën 1 deri më 31 dhjetor 2026.

Ajo ka bërë të ditur se kjo masë synon të parandalojë rritjen e çmimeve të kapaciteteve ndërkufitare, të cilat janë vërejtur gjatë viteve të kaluara.

Ndërkaq, vendimi tjetër lidhet me shpalljen e masave emergjente në sektorin e energjisë, ku përfshihet edhe obligimi ndaj ndërmarrjes Ibër-Lepenci për të prodhuar energji elektrike në periudhat kur kërkesa është më e lartë.

Sipas Rizvanollit, energjia e prodhuar nga kjo ndërmarrje do t’i shitet furnizuesit të shërbimit universal për konsumatorët dhe ndërmarrjet mikro dhe të mesme.

Ministrja ka theksuar se këto vendime vijnë krahas masave të ndërmarra tashmë nga KOSTT-i, në bashkëpunim me operatorët e transmisionit të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, për rritjen e kapaciteteve ndërkufitare.

Rizvanolli ka përmendur tri arsye kryesore që, sipas saj, mund ta vështirësojnë situatën energjetike në Kosovë gjatë javëve dhe muajve në vijim.

E para, sipas saj, është bllokimi i linjave ndërkufitare nga Serbia, e dyta janë çmimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të ndikuara nga konflikti në Iran dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa e treta janë vonesat në realizimin e projektit të elektrofiltrave në Termocentralin Kosova B.

“Për të gjitha këto arsye, po marrim masa parandaluese që të minimizojmë dëmet dhe të maksimizojmë sigurinë e furnizimit për qytetarët dhe bizneset e Kosovës gjatë javëve dhe muajve në vijim”, ka deklaruar Rizvanolli. /

Related Articles