Shifrat e larta të të vdekurve dhe të infektuarve nga COVID-19 në Kosovë brenda 48 orëve, ka bërë që vendi të tronditet njësoj si në fillim të pandemisë, ani pse procesi i vaksinimit antiCOVID ka filluar tash e disa muaj, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Duhet dikush të jap llogari se si është e mundur që më 17 korrik 2021 kanë qenë vetëm 98 raste aktive, e ndërsa sot me qenë mbi 26 mijë raste aktive”.
Kështu ka thënë për Gazetën “Enigma” deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili ndër të tjera vlerëson se për shkak të dështimit në menaxhimin e pandemisë, nëse ministri i Shëndetësisë Arben Vitia nuk jep dorëheqje, atëherë ai duhet të shkarkohet.
“Nuk ka qenë prioritet pandemia për këtë Qeveri, e as për Vjosa Osmanin dhe Arben Vitinë. Vizitën e fundit në ShSKUK, Albin Kurti e ka bërë në muajin maj të vitit 2020, ndërsa Vjosa Osmani në dhjetor po të njëjtit vit dhe Arben Vitia më 24 mars 2021. Kjo tregon më së miri papërgjegjësinë e kësaj udhëheqëse në menaxhim të situatës me pandeminë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka potencuar se Qeveria ka dështuar edhe në procesin e vaksinimit, masat mbrojtëse ndaj qytetarëve, e që sipas tij kjo ka shkaktuar eskalim të situatës.
LEXO EDHE: Kurti thotë se edhe të vaksinuarit bartin virusin
Deputeti Haxhiu ka thënë se ka disa javë që ai ua ka tërhequr vërejtjen se situata mund të eskaloj dhe vendi mund të rrëshqas në një katastrofë shëndetësore, për shkak se sipas tij numri i rasteve të reja dhe numri i vdekjeve është më i madh, por Qeveria po e fsheh.
“Qeveria po manipulon numrin e rasteve. Me manipulime dhe mashtrime nuk luftohet pandemia”, ka shtuar ai.
A janë pro apo kundër mbylljes totale kryetarët e komunave?
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për Gazetën “Enigma” se kryetarët e komunave janë kundër mbylljes totale.
Madje, Ibrahimi ka theksuar se i kanë adresuar disa kërkesa ministrit Vitia.
“Mbyllja totale ka ndodhur kur nuk kemi pasur vaksina, kurse tash i kemi vaksinat, vetëm Qeveria duhet të hap më shumë qendra të vaksinimit,të shtoj numrin e punonjësve shëndetësor në mënyrë që ta kryj procesin e vaksinimit ndaj popullatës”
Dhe përveç këtyre kërkesava, Ibrahimi ka thënë se kanë kërkuar nga Vitia që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe të dielave.
Ndryshe, që nga rritja e numrit të rasteve me COVID, Qeveria Kurti ka marr masat e reja antiCOVID, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga sot (30 gusht 2021).
LEXO EDHE: Hyjnë në fuqi masat e reja antiCOVID, nga sot fillon ora policore
Ndërsa, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 20 vdekje dhe 932 raste të reja, derisa ministri Vitia gjatë ditës së djeshme në një konferencë për media ka thënë se presin rënie të rasteve dhe rritje të kërkesës për hospitalizim./Gazeta Enigma/.