Të hënën (nesër), Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në një takim konsultativ gjitha subjektet politike, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në këtë takim pritet të diskutohet për rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Disa nga partitë tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim, ndonëse disa prej tyre nuk pajtohen me idenë për shtyrjen e zgjedhjeve.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Osmani.
Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, për Gazetën “Enigma” ka thënë se ata janë gjithmonë të gatshëm si subjekt të takohen me Presidenten.
“Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, ka thënë ai.
Edhe nga partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë thënë se do të marrin pjesë në takim.
Por, deputeti i kësaj partie, Ferat Shala ka deklaruar për Gazetën “Enigma”, se personalisht mendon se gjithë ky skenar është ‘lojë’ e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani.
“Parimisht nuk kemi sqarime adekuate, këto janë veprime politike që Kurti e Osmani janë duke i bërë. Kjo nuk është në interes as të politikës e as të askujt. Para se të shtyhen zgjedhjet do duhej të merrnin masa dhe ta menaxhonin mirë pandeminë, por edhe sistemin e arsimit. Unë nuk besoj se duhet të shtyhen zgjedhjet”, ka thënë ai.
Ndërkohë pavarësisht kundërshtimeve që i kanë për idenë e shterjes së zgjedhjeve, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë konfirmuar po ashtu pjesëmarrjen.
Ndërkaq, subjekti i udhëhequr nga Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë theksuar se kanë qëndrim zyrtar nëse do të jenë pjesë e takimit konsultativ të thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani, lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.
Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se të hënën do të vendosin se a do të shkojnë në takim apo jo.
“Nuk kemi vendosur ende. Jemi duke e diskutuar në strukturat e Aleancës dhe të hënën paradite do të vendosim nëse do të shkojmë apo jo”, ka thënë ai.
Ndërkohë i pyetur nëse e përkrah shtyrjen e zgjedhjeve, Lekaj ka potencuar se me çfarëdo mjeti do ta kundërshtojnë shtyrjen e zgjedhjeve.
“AAK do të përdor çdo mjet demokratik që ta kundërshtoj shtyrjen e zgjedhjeve”, ka shtuar ai.
Kujtojmë se takimi fillon nesër nga ora 17:00.
Propozimi për shtyrjen e zgjedhjeve ndonëse ka ardhur nga IKSHPK-ja, tashmë është përkrahur edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjofca.
Para IKSHPK-së, thirrje për tu shtyer data e zgjedhjeve kishin bërë edhe nga Sindikata e mjekëve./Gazeta Enigma.