Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel lidhur me situatën e krijuar në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi në Jarinjë dhe Bërnjak.
Vuçiq konfirmoi se pala serbe në Bruksel pranoi, siç njoftoi BE-ja, një propozim kompromisi për de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës.
“Unë mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën jam i kënaqur dhe mendoj se është e rëndësishme për palën tonë”, tha Vuçiq.
“Tërheqja e ROSU-së është parashikuar dhe është një tregues se në të ardhmen veprime të tilla të shqiptarëve do të hasin në rezistencë nga popullata serbe. Kthimi i KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 është i rëndësishëm dhe tregon se është e mundur të sigurohen garanci sigurie për serbët”, u shpreh Vuçiq, raportojnë mediat serbe.
Duke theksuar heqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, Vuçiq tha se e cilëson sukses të madh marrëveshjen e arritur sot.
“Unë e konsideroj këtë një sukses të madh të palës sonë”, tha Vuçiq.
Në kuadër të pikë 3 të marrëveshjes, palët u morën vesh që një Grup Punues, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të BE-së, Prishtinës dhe Beogradit, do të obligohet ta gjejë një zgjidhje të përhershme në një afat prej 6 muajsh.
“Takimi i parë do të jetë më 21 tetor dhe për gjashtë muaj Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij dhe zgjidhjen përfundimtare për nivelin më të lartë të formatit të dialogut. Kjo është ajo që është arritur”, tha Vuçiq.
Sipas tij, pika për vendosjen e afisheve në targat e veturave të njëra-tjetrës ishte propozim i Serbisë, ndërsa tha se qytetarët e të dy anëve nuk do të kenë nevojë të paguajnë.
“Ne jemi ata që e propozuam vendosjen e afisheve për ta, ata nuk mund të vendosin targa të përkohshme, por do të vendosin një afishe në stemën serbe dhe kjo nuk ka kosto”, tha Vuçiq.
Ai tha se Serbia do të përballet me një periudhë të vështirë bisedimesh.
“Ne po përballemi me një periudhë të vështirë bisedimesh dhe një luftë të vështirë për Asociacionin. Unë nuk besoj se ata duan ta pranojnë atë”, tha Vuçiq.