(Sh)tensionohet veriu, çka qëndron në marrëveshjen Kosovë – Serbi?

(Sh)tensionohet veriu, çka qëndron në marrëveshjen Kosovë – Serbi?

Pas një presioni të lartë e unifikues të spektrit ndërkombëtar, në ditën e 11-të prej kur kishin filluar incidentet e provokimet nga pala serbe, u arrit që të enjten, më 30 shtator të gjendet një zgjidhje e përkohshme që qon në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, përkatësisht në Jarinjë e Bërnjak, shkruan Gazeta “Enigma”.

Për më shumë se një javë pikat kufitare në veri të vendin qëndruan të ‘barrikaduara’, në njërën anë nga protestuesit serb, e në anën tjetër nga Njësia Speciale e Kosovës që ruante sigurinë në këtë zonë.

“Mollë sherri”, për këtë situatë u bë fillimi i zbatimit të një Marrëveshje për Targat, e cila ishte arritur vite më parë midis Kosovës dhe Serbisë, porse nuk ishte imlementuar asnjëherë nga ana e ekzekutivit kosovar.

Pas thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, për ulje të tensioneve në veri, në Brukel, në takimin që filloi të mërkurën midis BE-së, Kosovës dhe Serbisë u arrit një marrëveshje që u pa si e suksesshme nga të dyja palët.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak konfirmoi të enjten, Kosova dhe Serbia u pajtuan për çështjen e targave të automjeteve.

Çka përmban marrëveshja tre pikëshe?

Pika e parë e marrëveshjes së arritur në Bruksel thotë se “Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë”.

Po ashtu në marrëveshje theksohet se nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Pika e fundit thekson se që nga 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. “Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”, thuhet në marrëveshjen e arritur midis palëve.

Marrëveshja e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë


SHBA-ja dhe BE-ja mirëpresin marrëveshjen për targat

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe tha se arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon se riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

“Lajm i mirë nga Brukseli – një shembull sesi riangazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Faleminderit i dërguari Lajçak për ndërmjetësimin dhe partnerëve në Kosovë dhe Serbi për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të negociuar”, shkroi ai në Twitter.


Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, tha Borrell.



Kundërshtitë e Kurtit dhe Vuçiq: Dytë të kënaqur me marrëveshjen

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se me marrëveshjen e Brukselit është vendosur reciprociteti i targave të automjeteve.

Kurti ka shkruar se targat e të dyja shteteve do të mbulohen.

“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti ka shkruar se kushtet e Presidentit Vuçiq për takim javën e kaluar s’janë plotësuar.

“Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, ka thënë Kurti.


E i kënaqur me marrëveshjen u shpreh edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq konfirmoi se pala serbe në Bruksel pranoi, siç njoftoi BE-ja, një propozim kompromisi për de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës.

“Unë mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën jam i kënaqur dhe mendoj se është e rëndësishme për palën tonë”, tha Vuçiq.

“Tërheqja e ROSU-së është parashikuar dhe është një tregues se në të ardhmen veprime të tilla të shqiptarëve do të hasin në rezistencë nga popullata serbe. Kthimi i KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 është i rëndësishëm dhe tregon se është e mundur të sigurohen garanci sigurie për serbët”, u shpreh Vuçiq, raportojnë mediat serbe.

Duke theksuar heqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, Vuçiq tha se e cilëson sukses të madh marrëveshjen e arritur sot.

“Unë e konsideroj këtë një sukses të madh të palës sonë”, tha Vuçiq.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./Gazeta Enigma.

Related Articles