Më 25 korrik të këtij viti në Slavonski Broad të Kroacisë ndodhi një aksident i rëndë, që mori jetën e 10 personave dhe u lënduan 44 të tjerë.
E shkaktar për këtë aksident dyshohet të jetë shoferi i autobusit, Dukagjin Lyta, të cilin e kishte zënë gjumi gjatë kohës që ishte duke vozitur.
Më 6 tetor, Lytës i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj. E për këtë vendim të gjykatës, ai ka paraqiture ankesë.
Por, kjo ankesë i është refuzuar.
“Ju njoftoj se shoferit – të pandehurit, Dukagjin Lyta, me urdhër të kësaj gjykate me numër Kir-263/2021, datë 22.11.2021, i është caktuar masa e paraburgimit edhe për 2 muaj. Kundër këtij urdhri ka ushtruar ankesë Dukagjin Lyta, e cila me urdhër të kësaj gjykate nr. Kv II-120/2021, datë 8 nëntor 2021, është refuzuar si e pabazuar”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për Sinjalin.
Autobusi me 69 pasagjerë kryesisht shtetas të Kosovës që punonin në Gjermani, po udhëtonin nga Frankfurti në Kosovë, në autostradën Slavonski Brod të Kroacisë.
Sipas autoriteteve, shoferi, në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme dhe ka përfunduar në sipërfaqen me bar.
Shoferi i autobusit, 52 vjeç, sipas drejtorit të përgjithshëm të policisë kroate, Nikola Milina mund të dënohet deri në 15 vjet burgim për veprën penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku.
Ndërsa, nëse do të transferohej në Kosovë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se do t’i respektojnë ligjet e Kroacisë, pasi aty kishte ndodhur aksidenti.
E kryeministri kroat kishte thënë se ishte i ‘trishtuar dhe i pikëlluar’ nga ngjarja dhe u shprehu ngushëllime familjeve dhe qytetarëve të Kosovës.
Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit.