Kriza ekonomike në tregjet globale ka kapluar edhe Kosovën, e një gjë e tillë ka çuar deri në rritjen enorme të çmimit për shumë produkte të ndryshme, shkruan Gazeta Enigma.
E lidhur me arsyet e inflacionit në Kosovë dhe alternativat për tejkalimin e kësaj situate deputeti i PDK-së, Ferat Shala kishte theksuar se qeveria e vendit tonë nuk ka ndonjë veprim konkret për tejkalimin e kësaj krize.
“Qeveria e Kosovës me asnjë veprim konkret ,as mobilizues as legjislativ, nuk ka bërë që të parandaloj këtë krizë. Çështja e energjisë, e transportit ndërkombëtar dhe ngritja e çmimeve të naftës në nivel global, reflektuar direkt edhe në linjat e prodhimit brenda vendit e sidomos në sektor të infrastrukturës, ndërtimit e shumë sektor të tjerë”, kishte theksuar Shala për Gazetën Enigma.
Në të njëjtën kohë edhe rritja për kërkesat e energjisë elektrike ka çuar në ngritje të çmimeve, derisa KEDS-i bëri një kërkesë të tillë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Përmes kërkesës për aplikim të jashtëzakonshëm të tarifave, KEDS-i po kërkon që rritja prej 7 për qind të jetë deri në fund të marsit.
“Aty ne do të aplikojmë për të hyrat tona të lejuara dhe për tarifat që i mbulojnë kostot pasi dihet që kemi të bëjmë me çmime astronomike të importit të cilat shkojnë në 300 euro megavat apo 5-6 fish më të larta se vitin e kaluar dhe këto çmime duhet të mbulohen”, kishte bërë të ditur për Gazetën “Enigma”, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
E pas rritjes së çmimeve të shumë produkteve në të gjithë botën, çmimi i naftës në Kosovë po bie, kështu bëri të ditur, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të ketë ulje të çmimit të naftës në Kosovë.
Berjani në një përgjigje për ‘Enigmën’, kishte theksuar se rënia veçse ka filluar por e njëjta do të vërehet nga java e ardhshme, i cili ka theksuar se deri në fundin e vitit çmimet do të jenë si më parë.
“OPEC-u ka njoftuar se rënia e çmimit të naftës do të bëhet nga janari, por tek vërehet qysh tash një rënie e lehtë. Deri fundin e vitit do të jenë sikur më parë ashtu siç ka qenë në muajin shtator diku 1.15 eventualisht 1.16 euro për litër”, kishte deklaruar ai.
Aksioni i Policisë “Subvencioni 2021” në disa lokacione të Kosovës, 31 të arrestuar
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të premten kishin realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për rastin “Subvencioni 2021” në disa lokacione të ndryshme të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Prokuroria Speciale kishte njoftuar se nga ky aksion se 31 personat e dyshuar ishin ndaluar dhe intervistuar ku prej tyre 12 ishin persona zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK.
Aksioni ishte zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.
Përderisa, 19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve.
Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.
Kurse, personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i 3 nëntorit.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është duke e realizuar një operacion policor, ku pas përfundimit do të jepen informacione shtesë”, kishte deklaruar zëdhënësi i policisë, Baki Kelani për Gazetën Enigma.
Kujtojmë se aksioni “Subvencione 2021”, kishte filluar muaj më parë në disa qytete të Kosovës, ku ishin arrestuar dhjetëra zyrtarë e qytetarë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në keqpërdorim të subvencioneve në bujqësi.
Vazhdojnë masat e njëjta anti-COVID
Me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, të premten në mbrëmje Qeveria e Kosovës miratoi masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi më 6 dhjetor.
Në raport me këto masa të pa kënaqur vazhdonë të jetë sektori i gastronomisë.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva deklaroi se “Ju njoftoj se shkresat që i kemi dërguar, janë të gjitha me shkrim në zyrën e zv.kryeminsitrit dhe ministrit të ri të shëndetësisë, por ende nuk kemi marr asnjë përgjigje. Çdo vendim që merret pa u konsulto me ne, është vendim i njëanshëm”.
Ndërsa, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka “kërcënuar” Qeverinë se mund të shkaktojë krizë ekonomike, pasi nuk po i respekton kërkesat e tyre.
LEXO EDHE: Gastronomët kërcënojnë Qeverinë: Bëhuni gati të korrni atë që mbollët
“Ne mendojmë se ora policore nuk ndikon në rritjen e rasteve, por është pikërisht mos vaksinimi i qytetareve në masë të madhe”, nënvizoi kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për Gazetën Enigma duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga Ministria e Shëndetësisë të ndërmerr fushata të ndryshme vetëdijesuese për vaksinim.
Gjykata Speciale refuzon lirimin me kusht të Hashim Thaçit
Dita e parë e muajit dhjetor erdhi me lajmin se Gjykata Speciale kishte refuzuar garancinë e Policisë së Kosovës për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.
Një nga arsyet që ishte përmenden në dokumentin e publikuar nga Specialja, thuhej se ekziston mundësia e ndërhyrjës në procesin gjyqësor në Kosovë, ku u shfaqën edhe akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara.
Specialja i rendit edhe lidhjet e kundërshtarëve politikë të ish-presidentit Hashim Thaçi me organizatat terroriste, sjellja e liderëve të shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë deklaratat e Faton Klinakut, në verën e kaluar dhe krimet e supozuara se janë bërë e goditur mes Gucati dhe Haradinaj, të gjitha këto tregojnë qartë se kjo klimë vazhdon.
Në dokument jepen edhe arsye të tjera si pasiguria dhe frika e dëshmitarëve të rastit.
“Dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast”, thuhet në dokument.
Po ashtu si arsye e refuzimit jepet edhe ndikimi i Shërbimit Informativ të Kosovës mbi Policinë e Kosovës.
Dokumentin e plotë mund ta gjeni KËTU
Ndryshe, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, qe akuzuar më 5 nëntor të vitit të kaluar. Ai akuzohet për krime lufte. Pos tij, akuzat e njëjta i ngarkojnë edhe Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e Kadri Veselin si ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Gazeta Enigma/