Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të autoriteteve ukrainase që ftojnë qytetarët e shteteve të huaja për ta luftuar Rusinë, një gjë e tillë është e ndaluar me ligj në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Edhe pse shumë kosovar janë shprehur të gatshëm që të luftojnë krah Ukrainës, Republika e Kosovës në vitin 2015 kishte miratuar ligjin që ndalonte pjesëmarrjen e popullit kosovar, në çfarëdo lufte të huaj. Kjo u bë atëkohë në përpjekje që të ndalohet përpjekja e rinisë kosovare që t’i bashkohen grupeve terroriste në Lindjen e Mesme.
Ky ligj i dënon deri në 15 vjet këta qytetarë që synojnë një gjë të tillë.
Në ligjin e miratuar në Kosovë thuhet se “Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.
Çka po planifikon Kuvendi për situatën në Ukrainë?
Ekzekutivi kosovar ende s’është deklaruar lidhur me mundësinë apo jo të qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në luftën në Ukrainë, krahas popullit ukrainas. Mirëpo, në një intervistë Mimoza Kusari, shefe e grupit parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se së shpejti pritet që Kuvendi të dalë me një rezolutë për situatën me Ukrainës. Ajo thotë është paraparë dhe është trajtuar mundësia që të bëhet diçka rreth ligjit që ua ndalon kosovarëve të marrin pjesë në luftërat e huaja.
“E kemi në draft edhe propozimin për Qeverinë e Kosovës, që të jep një amendament, në të cilin përcaktohet qartë rasti konkret”, ka thënë Kusari.
Sipas saj, do të diskutohet nëse do të ketë përjashtim për rastin e Ukrainës.
“Sa i përket individëve dhe qytetarëve, për të cilët është në fuqi ligji, i cili i dënon me Kodin Penal, domethënë, pjesëmarrjen në luftëra të huaja, do të konsultohemi brenda orëve të ardhshme, nëse do të ketë një përjashtim në situatën e Ukrainës, në mënyrë që, natyrisht, për ata që nuk janë pjesë e Forcës së Sigurisë, ose ata që kanë shprehur interesimin të inkuadrohen në Ukrainë, njëjtë sikurse kanë bërë shtetet e tjera, të kenë mundësinë ta bëjnë. Por, prapë nuk mund ta them definitive, por e kemi paraparë dhe e kemi trajtuar”, ka thënë mbrëmë Kusari.
“Nëse lejohet pjesëmarrja e kosovarëve në luftën e Ukrainës, duhet të lirohen ata që kanë luftuar për Sirinë”
Ehat Miftaraj, nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), është deklaruar lidhur me debatin se nëse duhet të lejohen shtetasit e Kosovës që të luftojnë në Ukrainë. Por, sipas tij, nëse kjo lejohet me ligj, atëherë do duhej që të lirohen gjithë ata shtetas të Kosovës, që kanë qenë pjesë e luftës në Siri, apo vende të tjera.
“Debati për të lejuar shtetasit e Republikës se Kosovës për të luftuar në Ukraine, duhet të ketë parasysh se nëse Kuvendi i Kosovës shfuqizon ligjin përmes të cilit pjesëmarrja në luftëra të huaja nuk konsiderohet si vepër penale, në të njëjtën kohë duhet të lirohen të gjithë ata shtetas të Kosovës që janë dënuar për pjesëmarrje në luftëra në Siri apo shtete tjera, përfshirë këtu që duhet tq pushojnë procedurat penale për rastet që janë ne procedura penale”, ka thënë ai për “Enigmën”.
Rrjedhimisht, ai vlerëson se as ekzekutivi e as legjislativi nuk duhet ta promovojnë tutje këtë ide. “Nëse shteti dëshiron t’i ndihmoj një shteti të caktuar për të qenë pjesë e aleancave të shteteve demokratike për të mbrojtur vlerat njerëzore, le ta bëjë në mënyrë institucionale, çoftë përmes ndihmës financiare apo humanitare sipas mundësive që ka në dispozicion”, potencoi tutje ai.
Ndonëse Gazeta ka provuar të marr një përgjigje nga Qeveria e Kosovës për këtë çështje të njëjtit nuk kanë dhënë detaje.
Ndërkohë, kryeministrit Albin Kurti gjatë një intervistë për mediumin e Londrës “Sky News” i ka mohuar pretendimet e Presidentit rus, Vladimir Putin, se kosovarët tashmë kanë luftuar krah ukrainasve.
Sipas tij deklarime të tilla synojnë vetëm destabilizimin e rajonit.
“Kjo shfaq synimin e tij. S’ka kosovarë që kanë shkuar të luftojnë në Donbas, është Rusia që ka aneksuar Donbasin dhe Krimenë. Më herët e ka përmendur një herë në muaj tani Putini po e përmend Kosovën çdo javë, sepse ai e urren NATO-n, e urren Perëndimin ai është lider despotik që është i hidhëruar dhe nostaligjik që do të shndërrojë luftën hibride në luftë klasike, ka luftë hibride edhe në Ballkan, dhe Sputniku ka qendrën në Beograd për tërë rajonin”, deklaroi Kurti.
Çka thotë Ligji për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura jashtë Territorit të Vendit?
Deri në 15 vjet burgim parashihet për personat që tentojnë të bashkohen në konflikte jashtë territorit të vendit. Në nenin 3 të këtij ligji thuhet se “Kushdo që organizon, rekruton, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.
Aty theksohet se “Kushdo që në çfarëdo mënyre të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera materiale me dashje, dijeni apo ka bazë të arsyeshme për të besuar se do të përdoren tërësisht apo pjesërisht për të kryer veprën penale të përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.
Ndërsa, “kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite./ Gazeta Enigma.