Asociacioni “kartë e ShBA-së” për të hequr ndikimin e Beogradit në Veri

Asociacioni “kartë e ShBA-së” për të hequr ndikimin e Beogradit në Veri

Më 15 Maj është zhvilluar takimi i radhës ballë për ballë mes zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqit në Bruksel me ndërmjetësimin e të dërguarit special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajcak, njofton Gazeta Enigma.

Në këtë rund bisedimesh u diskutuan një sërë temash, por nuk pati asnjë rezultat për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit, kryenegociatori i palës kosovare Besnik Bislimi, deklaroi se takimi nuk solli ndonjë rezultat dhe se palës serbe i intereson vetëm çështja e Asociacionit.

Reagimi i menjëhershëm ishte edhe nga kryenegociatori serb Petar Petkoviq, i cili deklaroi se nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.

Ndërkaq, rreth këtij takimi trepalësh, Lajçak potencoi se ky takim synonte të “qartësonte çështjet e hapura”.

Kurse emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se duhet kohë që Kosova dhe Serbia të bien dakord për çështjen e Asociacionit, por, sipas tij, përpilimi i aneksit për zbatimin e marrëveshjes është hap I rëndësishëm.

Ndërkohë, senatori amerikan Bob Mendez ka potencuar se Kosovës po i bëhet presion lidhur me themelimin e Asociacionit, kurse Serbisë nuk po I bëhet presion.

Së fundmi, këshilltari i Lartë i DASh-it, Derek Chollet, ka deklaruar se ShBA nuk e pranon një Asociacion të komunave me shumicë serbe që ngjason me Republika Sërpska.

“Themelimi I Asociacionit është një obligim ndërkombëtar. Qëllimi ynë është që qytetarët e veriut të jenë më pak të varur nga Serbia. Ne nuk mbështesim asgjë që ngjason me Republika Sërpska”, është shprehur Chollet.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Shqiprim Pula, deklaroi se takimi mes Bislimit dhe Petkoviqit ka sjellur vetëm reagime nga zyrtarët e lartë serbë rreth mos-zbatimit të pikave të dakoorduara në vitin 2023.

“Në takimin ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, nuk ka patur ndonjë pritshmëri me rezultate positive përpor që ka prodhur një mori deklaratash të zyrtarëve serbë mbi mos-zbatueshmërinë e pikave në tërësi të dakorduara më 27 shkurt, 2023, por të disa prej tyre.

Sipas tij, veçimi i pikave nga ana serbe shpërfaqë mos-vullnet politik karshi zbatimit të dokumentit bazë dhe aneksit të saj pët zbatueshmëri.

“Pra, kur pala serbe tenton dhe insiston në veçimin e pikave të caktuara tregon mos-vullnet politikë për të rrugëtuar drejt zbatimit të dokumentit bazë dhe aneksit të saj për zbatueshmëri”, theksoi ai.

Ai theksoi se përderisa pala serbe u jep epërsi pikave të caktuara, kjo gjë është prolongim dhe medoemos do të ketë rezultate pa efekt.

“Veçimi apo dhënia epërsi e pikave të caktuara nga pala serbe është veçse prolongim dhe blerje kohe për tjera momentum takimesh, natyrisht, kjo qasje serbe është kuptuar nga pala e Kosovës dhe nuk ka pasur tolerim dhe prandaj rezultati ishte i pa efekt”, përfundoi Pula për Enigmën.

Politologu Fidan Ukaj, shprehet skeptik edhe për takimet e tjera që do të zhvillohen.

“Në fakt jo vetëm nga ky takim por edhe shumë takime të tjera nuk do të sjellin rezultate përderisa nuk do të ketë një propozim nga bashkësia ndërkombëtare rreth Asociacionit, për arsye se Serbia kërkon një Asociacion me kompetenca ekzekutive, kurse Kosova një Asociacion pa kompetenca ekzekutive”, tha Ukaj për Enigmën.

Sipas tij pala serbe është pengesa e procesit të dialogut.

“Pala serbe ka qenë dhe mbetet destruktive dhe penguese e këtij procesi, duke dhënë propozime të cilat vet shteti serb është në dijeni që janë të papranueshme për palën kosovare, e pastaj akuzon se pala kosovare nuk ka qenë ‘konstruktive’”, theksoi Ukaj.

Ndër të tjera Ukaj thotë se mund të ketë një propozim evropian për Asociacionin.

“Mendojë se do të ketë një propozim evropian edhe për Asociacionin njëjtë si Marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel. Nuk do të ketë rezultate derisa nuk do të ketë një presion të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura”, përfundoi Ukaj për Enigmën.

Në fund i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ka thënë se ShBA-të duan ta shfrytëzojnë Asociacionin për të hequr veriun nga ndikimi i Beogradit dhe nga ajo çfarë Vuçiq po bën sot me këto komuna.

“Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin që ta zhbëjmë atë që Serbia po e bën sot me veriun dhe që ta fusim brenda strukturës së Kosovës, që e kontrollon edhe që është nën ligjet e Kosovës”, është shprehur Escobar.

Ndryshe në takimin e 2 majit Vuçiq-Kurti në Bruksel, u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur, por jo edhe për Asociacionin./GAZETAENIGMA/

Related Articles