BE i kundërpërgjigjet Kurtit: E mbështesim plotësisht Borrell dhe Lajçak në dialogun Kosovë – Serbi

BE i kundërpërgjigjet Kurtit: E mbështesim plotësisht Borrell dhe Lajçak në dialogun Kosovë – Serbi


Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka quajtur ‘pretendime të pabaza’ komentet e kryeministrit kosovar, Albin Kurti lidhur me pozicionin që po mbajnë në dialog i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, shkruan Gazeta Enigma.

Stano në një përgjigje për Gazetën Enigma ka thënë se “nuk i komentojmë komentet dhe pretendimet e pabaza”, porse ka potencuar se BE-ja, dhe shtetet e këtij unioni mbështetin fuqishëm pozicionin e Lajçak dhe të Borrell në dialog.

“Shtetet Anëtare të BE-së – 27 prej tyre – e kanë bërë në mënyrë të përsëritur shumë të qartë se mbështesin plotësisht Borrell dhe Lajçak në përpjekjet e tyre për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre”, ka deklaruar Stano për Enigmën.

Sipas Stanos BE-ja ka specifikuar se ku është problemi në dialogun Kosovë – Serbi.

“BE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të angazhuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja e kanë bërë shumë të qartë në mënyrë të përsëritur se ku e shohin problemin kryesor për mungesën e progresit në Dialog, dhe definitivisht nuk është Borrell ose Lajçak”, shtoi ai.

Ndër të tjera zëdhënësi i BE-së, tha se 27 Shtetet Anëtare të BE-së shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre. “Ata u bënë thirrje palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme. Shtetet Anëtare gjithashtu theksuan vazhdimisht se puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, theksoi Stano.

Çka tha Kurti për Lajçak e Borrell?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga takimi tre palësh i 14 shtatorit në Bruksel, doli i hatëruar me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan Gazeta Enigma. Ai e akuzoi Lajçakun se kishte lidhur një aleancë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në dëm të Kosovës.

Duke folur të hënën në një konferencë me gazetarët në Prishtinë, Kurti sqaroi se këto akuza nuk janë për BE-në si institucion, por për emisarin Lajçak.

“Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të BE-së me Serbinë, por emisari special i BE-së ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë, sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë e shpërfillen propozimet tona”, u shpreh kryeministri.

“Ditëve në vijim, me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë”, shtoi ai.

Masat e BE-së mbeten ende në fuqi

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në emër të BE-së në një deklaratë për media lidhur me dialogun ka kritikuar Kosovën për veprime të njëanshme, gjersa ka njoftuar se masat e BE-së ndaj Kosovës mbeten ende në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë.

Në këtë deklaratë thuhet se BE është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.

“Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë, raporton Telegrafi.

Në deklaratën për media të BE-së thuhet se lëvizjet e Kosovës, duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve.

E lidhur me kritikat ndaj Kurtit, reagim ka ardhur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”./ Gazeta Enigma.

Related Articles