Pas ndalimit të vizitës zyrtare në Serbi të Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallës, si dhe ndalimit të hyrjes në Kosovë të zyrtarit serb, Petar Petkovic, kanë reaguar nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i këtij misioni, Peter Stano në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, ka ftuar organet kosovare ta rishqyrtojnë vendimin, porse të njëjtën thirrje s’e ka adresuar edhe për shtetin serb, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Vizita e drejtorit Petkovic në Kosovë ishte njoftuar siç duhet në përputhje me marrëveshjen dhe për këtë arsye është dashur të lejohet të vazhdojë – siç ishte edhe rasti me vizitën e ministres Gërvalla në Serbinë Jugore”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Stano.
Tutje i pyetur nga “Enigma”, edhe për ndalimin që iu bë Ministres Gërvalla, Stano ka theksuar se duhet respektuar marrëveshjet e rritura midis dy vendeve.
“Ne i kemi parasysh zhvillimet e fundit në vizitat zyrtare. Po e theksojmë sërish se presim që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara, përfshirë marrëveshjen për vizitat zyrtare. Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja. Ne presim që palët t’i respektojnë këto udhëzime”, ka thënë ai.
Në përgjigjen e tij ai ka cituar edhe deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell, dhënë javën e kaluar në kuadër të Këshillit të Stabilizim Asociimit, se “ne i bëjmë thirrje Kosovës që të lejojë që të bëhen vizita zyrtare që përmbushin udhëzimet e mësipërme, përfshirë ato të drejtorit Petkovic dhe i bëjmë thirrje Kosovës që të në këtë drejtim të rishqyrtojë vendimin e saj”.
Si u ndaluan Gërvalla e Petkoviq?
Bllokada të mërkurën erdhi nga dy horizontet. Së pari u raportua nga mediat serbe se ishte ndaluar në Jarinje, drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Pas kësaj ndalese, Petkoviq, theksoi se Beogradi zyrtar ka aprovuar kërkesën e një anëtari të kabinetit qeveritar të kryeministrit Kurti për ta vizituar Bujanocin dhe Preshevën, pa specifikuar se për kë bëhet fjalë.
“Për dallim nga Prishtina, që na ndalon hyrjen, Beogradi po sillet me përgjegjshmëri dhe ne respektojmë të gjitha marrëveshjet. Sot ne kemi aprovuar hyrjen e një anëtari të kabinetit të qeverisë Kurti në Preshevë dhe Bujanoc sepse ne respektojmë marrëveshjet dhe lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjen për vizitat zyrtare të cilat shfaqin Aqartë që ne duam normalizim të marrëdhënieve, duam të ndërtojmë paqe dhe duam marrëdhënie më të mira që është çelësi për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, tha Petkoviq.
Por nuk ndodhi ashtu sic tha ai, meqë pak orë nga ndalimi i tij, u bë e ditur se hyrjen në Serbi ia kishin ndaluar organet serbe, kryediplomates kosovare, Donika Gërvallës.
Asaj i është anuluar vizita e planifikuar në Luginën e Preshevës për shkak se shteti fqinj nuk i ka lëshuar leje për vizitë.
“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, është thënë në përgjigjen e MPJ-së.
Marrëveshja për vizitat e zyrtarëve të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit, hyri në fuqi që nga janari i vitit 2014.
Në këtë marrëveshje është e specifikuar forma e realizimit të vizitave të zyrtarëve të lartë nga të dy vendet. Në kategorinë e parë janë vizitat e presidentëve, kryetarëve e kuvendeve, kryeministrave, ministrave të jashtëm, atyre të brendshëm dhe të mbrojtjes. / Gazeta Enigma.