Bie numri i pacientëve të COVID-19, a po shkon drejt fundit pandemia?

Bie numri i pacientëve të COVID-19, a po shkon drejt fundit pandemia?

Numri i pacientëve me  COVID-19, në Kosovë, ka rënë dukshëm. Madje, gjatë dy ditëve të fundit nuk ka pasur asnjë të vdekur, shkruan Gazeta “Enigma”.

Si rezultat i rënies së numrit të viktimave nga koronavirusi, rrjedhimisht në Kosovë, në disa qytete nuk ka asnjë pacientë të shtrirë në spital. 

Spitali i Prizrenit, Pejës dhe Vushtrrisë, aktualisht nuk kanë asnjë pacientë me COVID-19.

Ndërsa, sipas Drejtoreshës së QKMF-së në Gjilan, Arbenita Hajdari, në Spitalin e këtij qyteti aktualisht janë 4 pacientë të shtrirë me COVID, ku dy prej tyre janë në infektivë, ndërsa dy të tjerë në qendrën intenzive.

“Kemi rënie të madhe të pacientëve, edhe ata që po kërkojnë shërbime në shtëpi janë vetëm 4. Numri i rasteve aktive në Gjilan është shumë më i ulët këto ditë. Dje kanë qenë vetëm 19 të infektuar me COVID-19”, ka thënë ajo.

Gjithashtu Hajdari ka treguar se në përgjithësi, gjendja është më e qetë edhe në qendrat familjare.

“Numri i pacientëve që po kërkojnë shërbime nga infektimi me COVID-19, në qendrën familjare ka rënie, në përjashtim të atyre që janë me sëmundje kronike ose ndonjë ftohje tjetër sezonale”, ka theksuar ajo.

Me të njëjtin numër të pacientëve të shtrirë, të infektuar me COVID-19, është edhe Spitali i Ferizajit, kështu ka bërë të ditur për Gazetën “Enigma”, drejtori i spitalit në këtë qytet, Halit Gërbeshi.

“Në spital janë të shtrirë vetëm 4 pacientë. Janë duke u bërë trajtimin adekuat dhe gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, ka thënë ai.

E në qytetin e Gjakovës nga COVID-19, po trajtohen 6 pacientë, shëndeti i të cilëve sipas Hilmi Shalës, drejtor i spitalit në këtë komunë, është duke u përmirësuar.

Kujtojmë se në QKUK janë duke u trajtuar 57 pacientë, 24 me oksigjeno-terapi dhe 4 në mjekim intensiv në gjendje të rënduar shëndetësore. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles