Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në pjesën e dytë të nëntorit pritet të zhvillohet raundi i ardhshëm i bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve.
Bislimi pritet të takohet me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Bislimi ka thënë se nuk do të ketë momentalisht një takim të nivelit më të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Data e saktë e takimit të radhës nuk dihet. Do të ketë takim mes negociatorëve në pjesën e dytë të nëntorit. Pra nuk mund të ketë takim mes shefave të shtetit. Është inkurajuese për mua se në Raportin e Progresit thuhet se të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, për arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme të normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë ai.
“Ky do të jetë angazhimi, jo për çështje parciale e të segmentuara. Por, për një marrëveshje të përgjithshme. Ishte edhe kjo qasja jonë në dialog deri më tash”, ka thënë Bislimi në Deskun e Kohës, përcjellë Gazeta “Enigma“/