CAS-i hedh poshtë ankesën e Rumanisë për ndeshjen ndaj Kosovës

CAS-i hedh poshtë ankesën e Rumanisë për ndeshjen ndaj Kosovës

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të enjten (13 shkurt) ka hedhur poshtë ankesën e Federatës Rumune të Futbollit (RFF) kundër dënimeve të UEFA-s për ndeshjen ndaj Kosovës.

CAS-i ka konstatuar se dënimet e UEFA-s karshi Federatës rumune janë proporcionale me shkeljet që janë bërë.

Paneli i CAS-it vuri në dukje se Federata rumune nuk e kundërshtoi shkeljen e rregullores së UEFA-s (sjellja raciste dhe diskriminuese e tifozëve dhe transmetimi i mesazheve provokuese), por i kundërshtoi sanksionet disiplinore.

“Paneli vendosi se shkeljet e kryera nga tifozët rumunë ishin serioze dhe se sanksionet ishin në përputhje me Rregulloret Disiplinore të UEFA-s dhe jo disproporcionale. Rrjedhimisht, vendimi i kontestuar u la në fuqi nga paneli i CAS-it”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Federata rumune u ankua në CAS, duke vlerësuar se dënimet e UEFA-s ndaj saj ishin shumë të larta. UEFA e regjistroi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë, por Federatën rumune e gjobiti me 128 mijë euro dhe me zhvillimin e një ndeshjeje pa shikues.

Ndeshja Rumani – Kosovë ishte zhvilluar më 15 nëntor në Bukuresht. Në minutat shtesë, kur rezultati ishte 0:0, në fushë erdhi deri te një përplasje mes lojtarëve. Në tribuna u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia” dhe lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha. Ata refuzuan të kthehen për të vazhduar ndeshjen, ndonëse këtë ua kërkoi arbitri i ndeshjes, danezi Morten Krogh. Arbitri më pas doli në fushë dhe dha shenjë për fundin e takimit.

Ndërkohë, sa i përket ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës, CAS-i ka thënë se është ende në shqyrtim. FFK-ja nuk pati sqaruar se me çfarë kërkese i është drejtuar gjykatës.

Related Articles