Ka nisur takimi trepalësh në Bruksel midis kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandër Vuçiq, si dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borell e të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Paraprakisht ka pasur edhe zhvillime të ndryshme që kanë të bëjnë me takimin mjaft të rëndësishëm për shkak se për herë të parë në shumë e shumë vite në dialogun Kosovë-Serbi është diçka konkrete që ndodhet në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë gazetari Besnik Tahiri për Klan Kosovën.
“Ai është plani evropian i përpiluar nga Bashkimi Evropian ose i përpiluar nga zyra për politikë të jashtme, pra e diplomacisë këtu në Bruksel të Belgjikës, dhe po ashtu si nismë që ishte e Gjermanisë dhe Francës, më saktësisht e kancelarit Olaf Scholz dhe presidentit Emmanuel Macron, që ka të bëjë me një marrëveshje të mundshme bazë mes Kosovës dhe Serbisë e cila sipas kryeministrit të Kosovës përmban preambulën me pesë fjali, dhe po ashtu dhjetë pika të asaj se si duhet të pajtohen në mënyrë bazike Kosova dhe Serbia”.