Të enjten e 24 tetorit, kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen me përfaqësuesit e BE-së në Bruksel, me synim për ta rinisur dialogun mes dy vendeve. Fokusi kryesor pritet të jetë çështja e Asociacionit të Komunave serbe, shkruan Gazeta Enigma.
Në takimin e fundit të të njëjtit format, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk arriti që t’i përballë “kry për krye” Bislimin dhe Petkoviqin në një tavolinë të përbashkët. Këta të fundit ia hodhën fajin njëri-tjetrit për refuzim të takimit.
“Kosova po eviton takimin tre-palësh”
Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, thotë për Gazetën Enigma se pala kosovare po refuzon një takim tre-palësh, pasi sipas tij, kjo do të shihej në sytë e publikut si një “dështim i madh” i Qeverisë “Kurti”.
“Edhe kësaj here vështirë që mund të realizohet një takim tre-palësh, sepse nuk po besoj që ka ndonjë vendim politik, të paktën në Qeverinë e Kosovës, që të kemi takim tre-palësh, sepse kjo do të shihet në sytë e publikut si një “dështim i madh” i Qeverisë së Kosovës karshi kërkesave serbe. Pra, edhe nëse Kosova vendos me e dërgu draft-statusin në Gjykatën Kushtetuese, nuk besoj që për momentin do të ketë takim tre-palësh. Kosova do ta evitonte sepse nuk e din rezultatin se çka do të zbatojë pala serbe sa i përket zbatimit të marrëveshjes”, deklaron Arifi për “Enigmën”.
Arifi thotë se 24 tetori “nuk ka shumë për të ofruar” sa i përket përparimit në dialog.
“Më shumë është njëfarë mirëmbajtje e status quo-së derisa të vendosen organet e reja të Komisionit Evropian, së bashku me shefen e rizgjedhur të Komisionit Evropian. Kjo është një mirëmbajtje e këtij dialogu “normalizimi”, por nuk besoj që mund të ketë diçka konkrete, sepse tash e tutje më shumë është çështje se a kanë me zbatu marrëveshjen dhe kur kanë me e zbatu marrëveshjen”, deklaroi Arifi.
Palët në “ngërç” se kush do e zbatojë marrëveshjen i pari
Arifi thotë se palët kanë mbetur në “ngërç”, sa i përket asaj se kush t’i përmbushë marrëveshjet së pari.
“Pika e vetme më e rëndësishme çka mund të jetë është se kush do ta fillojë pikën e parë dhe kush do ta plotësojë pikën e dytë. Pra kjo është krejt ajo çka pritet nga kryenegociatorët, por nuk mendoj se ka një gatishmëri nga të dyja palët”.
Opinionisti tha se pala serbe zakonisht është destruktive, ndërsa sipas tij, pala kosovare “nuk është orientuese”.
“E ka humbur një lloj orientimi se çka po dëshiron në dialog me Serbinë”, thotë Arifi.
Megjithatë, Arifi vlerëson se në këto dy javët e fundit është vërejtur që ka një dozë të racionalitetit, me lejimin e mallrave serbe në tregun kosovar.
“Çështja është se kush dhe çka ka me realizu i pari ose i dyti. Pra Kosova lëshimin më të madh që mund ta bëj është se mund të thotë që “unë po e dërgoj draft-statutin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për interpretim”. Ajo merr kohë minimalisht dy apo tre muaj, dhe Serbia në ndërkohë duhet t’i zbatoj të gjitha pikat e tjera që i kanë mbetur. Sepse Kosova realisht pikën më kryesore dhe më problematike e ka këtë. Të tjerat Kosova thuajse i ka zbatuar apo po i zbaton. E Serbia mbetet me u pa mandej”, u shpreh Arifi për Gazetën Enigma.
Pala serbe s’pret rezultate nga takimi i nesërm
Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka deklaruar se nuk pret asgjë konkrete nga takimi i 24 tetorit. Ai ka insistuar në themelimin e Asociacionit, por që nuk pret të ketë risi pas takimit me kryenegociatorin kosovar.
‘’Për Prishtinën është problem që të diskutojë Asociacionin e komunave serbe dhe përmbushjen e marrëveshjeve. Nuk mund të presë asgjë nga raundi i ardhshëm i dialogut në Bruksel i paralajmëruar për 24 tetor, sepse jam mësuar nga përvoja e negociatave dhe takimeve të mëparshme”, tha Petkoviq. /GAZETA ENIGMA