Dy liderë, një skenë – “Beteja” për dominim mes Kurtit dhe Ramës

Dy liderë, një skenë – “Beteja” për dominim mes Kurtit dhe Ramës

Marrëdhëniet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, jo pak herë janë temë e diskutimeve në opinion publik shqipar. Teksa ka ngritje dhe ulje në raportet mes dy kryeministrave shqiptar, 28 Nëntori bëhet një datë jo vetëm feste, por edhe një moment reflektimi për mënyrën se si dy kryeministrat menaxhojnë raportet politike, institucionale dhe kombëtare, shkruan Gazeta “Enigma”.

Që prej ardhjes së Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës, marrëdhëniet me Edi Ramën kanë pasur periudha dinamike, duke lëvizur nga afërsia dhe bashkëpunimi institucional te tensionet dhe qëndrimet e ndryshme politike.

Në fillimet e bashkëpunimit mes tyre u duk qartë dëshira për t’i dhënë një drejtim të ri raportit Shqipëri–Kosovë, sidomos duke vënë theksin te projektet e përbashkëta ekonomike, infrastrukturore dhe energjetike.

Por përveç bashkëpunimit, nuk munguan edhe tensionet dhe diferencat, të cilat shpesh u reflektuan publikisht. E edhe mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, traditë e nisur vite më parë, ka dy vite që nuk kanë ndodhur.

Edhe pse në takime shpesh herë shfaqen të buzëqeshur e të përqafuar, ngjarje si përfshirja e Kurtit dikur në zgjedhjet shqiptare, ku e rivalizonte Partinë Socialiste të udhëhequr nga kryeministri Rama, propozimi i Ramës për Ballkanin e Hapur, dërgimi i draft-statutit për Asociacionin, e edhe etiketimet e fundit pas protestës së Tiranës në përkrahje të ish-krerëve të UCK-së, kanë bërë të ditur se ka diferenca të mëdha politike mes tyre, e ndosha edhe inate personale.

Së fundmi, Kurti dhe Rama u takuan në Samitin “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”, që u mbajt në Tiranë.

Kurti u prit me një shtrëngim duarsh nga kryeministri Edi Rama, ndërsa gjatë ceremonisë së pritjes, Rama u pyet nga gazetarët lidhur me marrëdhëniet e tij me Kurtin.

Kryeministri e komentoi me ironi, duke e krahasuar interesin e vazhdueshëm të opinionit me një serial të pafund.

“A e do apo se do, a të do apo s’të do… 1 mijë episode. Po të ketë përgjigje, nuk vazhdon telenovela”, u shpreh Rama, duke lënë të kuptohet se nuk do t’i shtonte më shumë koment situatës.

Vitin e kaluar, hera e fundit kur Kurti foli për marrëdhëniet me Ramën, tha se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.

“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi”, ka thëënë Kurti.

Edhe pse nuk janë kursyer aspak në gjuhën me të cilën i janë referuar njëri-tjetrit dhe  komunikimi bilateral s’ka qenë fort pozitiv, Kurti vlerëson faktin se bashkëpunimi mes ministrave të dy vendeve ka qenë më i miri se çdo qeveri e mëparshme.

“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat”, kishte thënë Kurti.

Si ndikon marrëdhënia e tyre personale në aspektin politik?

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Cipa, tha për Gazetën “Enigma” se marrëdhëniet mes dy liderëve, kohëve të fundit kanë pasur luhatje.

“Marrëdhëniet ndërmjet kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti kanë pasur luhatje përgjatë viteve të fundit, si prej personaliteteve të forta të të dy liderëve, po edhe prej një kompeticioni politik për rolin e secilit brenda hapësirës shqiptare në Ballkan dhe në dinamikat rajonale” tha ai.

Por, pavarësisht raporteve mes dy liderëve, Cipa thote se nuk ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet institucionale.

“Në vetvete, kjo marrëdhënie ka pasur një konotacion te vetë sendërtimi i profilit të dy drejtuesve të shteteve, por nuk ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet institucionale ndërmjet tyre. Pavarësisht se gjykoj që mbledhja e përbashkët e dy qeverive është gjithmonë e vlefshme, qoftë edhe simbolikisht, esenca e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve ndërtohet e shtohet përditshmërisht”, shtoi ai.

Sipas tij fakti që shpesh anashkalohet është se mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka një problematikë strukturore në marrëdhëniet dypalëshe. “Në fakt, e kundërta është e vërtetë: shkëmbimet politike, institucionale, ekonomike dhe shoqërore janë rritur në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi tutje ai.

Ai tha se pas përfundimit të procesit elektoral në Kosovë, do të  ndryshoj shumëçka mes liderëve të dy vendeve.

“Kosova aktualisht është në një situatë të re elektorale, por gjykoj që pas përfundimit të saj dhe krijimit të qeverisë së re të mandatuar, do të ndryshojë shumëçka edhe në komunikimin e drejtpëdrejtë të liderëve të të dy vendeve. Pas tejkalimit të përllogaritjeve elektorale dhe, mbi të gjjtha, nisur nga sfidat e përbashkëta rajonale, nevoja për koordinim diplomatik, si edhe prioritetet strategjike të të dy shteteve, një komunikim më i rregullt dhe më funksional do të jetë i domosdoshëm”, shtoi ai.

Por, kështu nuk mendon njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj.

Duhanaj vlerëson se bashkëpunimi ndërqeveritar mes dy vendeve, pas një fillimi të mbarë, tani është veç një proces në letër.

“Ajo çfarë kishte filluar si bashkëpunim ndërqeveritar mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku epilogu optimal do të ishte integrimi i plotë në kooperim mes dy shteteve, pas një fillimi të mbarë, tani më duket të jetë veç në letër”, tha ai për Gazetën “Enigma”.

Ai theksoi se ardhja e Kurtit në pushtet, ndikoi në thyerjen e raporteve mes dy krerëve.

“Me ardhjen e Kurtit në pushtet, ndodhi një thyerje ndërmjet krerëve qeveritarë.Për fat të keq, kjo thyerje ka ndodhur ekskluzivisht për fajin e KKurtit, pasi që ende pa arritur të marrë pushtetin në Kosovë, ai pati provuar edhe atë në Tiranë”, tha ai.

“Pra, z. Kurti themeloi degën e VV-së në Shqipëri, përpiqej të përçante opinionin atje. U fokusua ekskluzivisht për ta luftuar Edi Ramën, duke shpresuar që do të korrte ndonjë sukses në zgjedhjet atje.Nuk ja doli, pasi që qytetarët e Shqipërisë e kuptuan prapavijën përçarëse të tij dhe nuk ranë në këtë grackë”, shtoi ai.

Duhanaj tha se Kosovën më mirë e ka promovuar Edi Rama sesa vet kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Kosovën në këto vite më mirë e ka përfaqësuar dhe promovuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se sa Qeveria Kurti, e cila, edhe ashtu, ishte e izoluar nga shumica absolute e akterëve botërorë.Takimet e vetme që kanë pasur kanë qenë me disa vende që kanë rol të madh dhe ato përmes vizitave në Kosovë, ose në takimet multilaterale ku pjesëmarrja është domosdoshme dhe gjithëpërfshirëse.Uroj që Kosova së shpejti të ketë një qeveri të re, një qeveri të përgjegjshme dhe të aftë për t’i rikuperuar dëmet e mëdha që ia ka shkaktuar Qeveria Kurti”, përfundoi ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles