Që nga qershori i vitit 2023 Bashkimi Evropian vendosi “izolim” të përkoshëm për Kosovën duke i vendosur masa, si përgjigje ndaj përkeqësimit të situatës në veri të Kosovës, veçanërisht pas zgjedhjeve lokale të prillit 2023, që u bojkotuan nga shumica serbe, çka rezultoi me vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të vendit, shkruan Gazeta Enigma.
Përkundër se atëkohë u tha nga BE-ja se masat ishin për përkoshme, ato mbeten ende në fuqi. Krerët Kosovar disa herë kanë kritikuar BE-në se po tregohet e padrejtë me Kosovën.
Liderët kosovar vazhdimisht kërkojnë heqjen e masave, pothuajse në secilin takim me përfaqësues nga BE-ja.
Presidentja Vjosa Osmani madje u tregua e ashpër me BE-në në Samitin e Tiranës, të mbajtur me 16 maj kur theksoi se ky institucion “Po i hap më shumë dyert për ata që shkojnë në Moskë tek Putini”, se sa Kosovës “që jemi të linjëzuar me BE-në”.
“Kosova e ka politikën e jashtme 100 përqind të linjëzuar me atë të BE, e njëjta dhe për politikat e sigurisë. Fatkeqësisht ka një bllokadë totale nga BE dhe reformat tona nuk vlerësohen, as puna jonë nuk vlerësohet. Po hapet më shumë dera për ata që shkojnë në Moskë tek Putini se sa ne që jemi të linjëzuar me BE-në”, theksoi Osmani.
Gazeta Enigma ka drejtuar pyetje në adresë të Bashkimit Evropian, lidhur me datën e mundshme për heqjen e masave, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë Komisioni Evropian ka deklaruar para pak ditësj se kanë nisur punën drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur në qershor të 2023-së.
Ata thonë se po punohet drejt heqjes graduale, “të kushtëzuar dhe të kthyeshme të masave”.
“Kësaj faze i ka paraprirë një shkëmbim qëndrimesh mes shteteve anëtare të BE-së gjatë takimit të ministrave të jashtëm në prill”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.
Por si u vendosën masat?
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës u vendosën fillimisht për shkak të tensioneve në veri, të nxitura nga vendosja me forcë e kryetarëve të komunave me shumicë serbe pas bojkotimit të zgjedhjeve nga komuniteti serb në maj 2023.
Masat e BE-së përfshijnë pezullimin e programeve të financimit përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe Instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA 2024), si dhe përjashtimin e Kosovës nga grantet e BE-së në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh të miratuara në korrik 2023.
Vendimi për heqjen e masave kërkon miratimin unanim të shteteve anëtare të BE-së. Teksa shumica e vendeve mbështesin heqjen graduale të masave, një numër i vogël shtetesh preferojnë një qasje të kujdesshme, duke kërkuar më shumë përparim nga Kosova në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, veçanërisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Përkundër se BE-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime të njëanshme, si ndalimi i transaksioneve në dinarë serb në dhjetor 2023 dhe mbyllja e institucioneve paralele serbe në janar 2024, më e “butë” ka qenë çasja e tyre karshi shtetit serb.
Dialogu në “qorr sokok”
Takimi i fundit në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mbajt më 14 shtator 2023.
Në maj 2025, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka theksuar nevojën për zhbllokimin e procesit dialogues. Kallas ka planifikuar vizitë në Prishtinë dhe Beograd gjatë javës së ardhshme për të diskutuar rifillimin e negociatave.
Analisti politik, Blerim Burjani, ka thënë për Gazetën “Enigma” se masat do të hiqen kur të ketë normalitet në veri, e kjo, sipas tij, arrihet me dialog me serbët lokal.
“BE do t’i heqë masat kur të ketë normalitet në veri, ku do të konstituohen kuvendet në mënyrë legjitime për shumicën serbe që jeton atje. Kështu ata e konsiderojnë se nuk do të ndodhë as edhe anëtarësimi i Kosovës në KiE. Pra, mendoj se duhet të ketë normalitet politik në veri, dhe kjo të bëhet me dialog me serbët lokalë. Perëndimi duhet ta ndajë Serbinë nga pakica serbe në Kosovë, pra serbët lokalë duhet të trajtohen pa ndikim nga Serbia, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Andaj kjo i konvenon Serbisë dhe e stimulon atë, dhe problemi ende trajtohet si problem Kosovë-Serbi, por jo Kosovë-grupi etnik serb”, tha ai.
Burjani tha se Marrëveshja e Ohrit nuk do të zbatohet asnjëhere, kjo për shkak të statutit të cilën ajo e mban: Krijimin e Asociacionit.
“Marrëveshja e Ohrit është jo funksionale, jo e zbatueshme dhe po humb ndikimin dhe presionin për t’u zbatuar në terren. Kjo marrëveshje është konkrete për themelimin e asociacionit serb, por jo edhe konkrete për të zgjidhur raportet Kosovë-Serbi apo për t’i normalizuar jashtë trajtimit të pakicës serbe në Kosovë, e cila i ka të gjitha të drejtat civile dhe politike, por kërkon më shumë se kaq. Statuti i bërë nga BE për asociacionin ka përmbysur plotësisht Kosovën që vetë të vendosë për statutin, e që kjo është krejtësisht dhe plotësisht çështje e Kosovës, e jo e tyre. Tash askush nuk dëshiron të merret me këtë statut në Kosovë, që federalizon në masë të madhe rendin juridik në Kosovë. Pra ndikon në shtetin unitar. Ky statut është më i dëmshmi i mundshëm për rendin juridik dhe s’ka gjë prej tij në Kosovë. Ky statut nuk do të zbatohet asnjëherë”, shtoi ai.
Burjani vlerëson se nuk pret nga BE zgjidhjen e këtij problemi.
“S’e besoj se ka shkop magjik që zgjidh këtë komplikacion, sidomos pas statutit të bërë nga BE, i cili i ka vënë kapak kësaj pune. E ka përmbysur dhe përmbyllur mundësinë e krijimit të një asociacioni normal, pozitiv për qytetarët serbë dhe në dobi të shërbimeve më të mira për qytetarët e Kosovës”.
“Dialogu është i vdekur. S’ka dialog, por s’ka as për çka. E kanë përmbyllur negativisht me statutin dhe e kanë shkatërruar frymën bashkëpunuese me Kosovën. As pozita, as opozita nuk dëshiron më as të flasë seriozisht për këtë çështje. Nëse BE dhe SHBA vazhdojnë në zbatimin e këtij statuti të asociacionit me çdo kusht, duke e obliguar Kosovën, atëherë masat ndaj Kosovës kurrë nuk do të hiqen”, përfundoi ai.
BE-ja po anon kah Serbia?
Njohësi i çështjeve politike, Astrit Hoti, tha se qasja e dyfishtë ka krijuar përshtypjen e njëanëshmërisë së BE-së.
“BE-ja ka vendosur masa ndaj Kosovës që nga qershori 2023 për shkak të veprimeve të njëanshme të qeverisë së Kosovës, siç ishin ndërhyrjet në veri të Kosovës për të zbatuar zgjedhjet lokale pas bojkotimit nga Lista Serbe dhe tensionet që pasuan. Pas sulmit në Banjskë, BE-ja nuk ka vendosur masa ndaj Serbisë për shkak të mungesës së dëshmive konkrete dhe pengesës së disa shteteve anëtare, si Hungaria, për të miratuar sanksione. Kjo qasje e dyfishtë ka krijuar përshtypjen e njëanshmërisë”, tha ai.
Tutje, ai tregon edhe për rrugën se si mund t’i hiqen masat Kosovës.
“Heqja e masave ndaj Kosovës dhe avancimi i dialogut do të varet nga gatishmëria e saj për të trajtuar në mënyrë të barabartë të dyja palët. Nëse BE insiston në llogaridhënie të barabartë dhe vendos presion të balancuar mbi Serbinë dhe Kosovën, kjo mund të çojë në heqjen e masave ndaj Kosovës, veçanërisht nëse Prishtina tregon fleksibilitet, siç është përparimi drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Ai thekson nevojën e unifikimit në BE dhe vullnetin politik nga Kosova dhe Serbia për të shtyrë përpara dialogun dhe proceset e tjera.
“Sfidat kryesore për BE do të jenë bindja e shteteve anëtare për një qasje të unifikuar dhe kapërcimi i ndikimit të aktorëve si Hungaria, që mbrojnë Serbinë. Nëse ajo arrin të krijojë një mekanizëm më efektiv monitorimi dhe të shtyjë për zgjidhje konkrete, dialogu mund të lëvizë përpara, por kjo do të kërkojë vullnet politik nga Prishtina dhe Beogradi, si dhe mbështetje të fortë nga SHBA-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundoi ai./ Gazeta Enigma/