E përditshmja serbe ‘Kurir’, ka shkruar për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si ‘provokator’.
“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vazhdon të minojë marrëdhëniet me Serbin duke mos e pranuar formimin e asociacionit si dhe duke mos e mbështetur idenë e ‘mini-shengenit”, shkruan media serbe.
Sipas gazetës, Kurti edhe pse deklaron se është në favor të bashkëpunimit rajonal bazuar në barazi dhe reciprocitet, nuk e përkrah idenë e ‘mini-shengenit’.
Ndërsa sipas Milovan Drecun njëherësh edhe Kryetari i Komisionit të Asamblesë për Kosovë, ka deklaruar për Kurir se “Albin Kurti, nuk punon për qytetarët e vendit të cilën e ka për detyrë si kryeministër”.
Ai më tutje ka shtuar se Kurti dhe ndjekësit e tij interesohen vetëm për bashkim kombëtar me Shqipërinë që sipas tij “një ide e tillë nuk është reale dhe nuk do të ndodhë kurrë”.
Ndërsa ish gazetari i Reuters, Jaksha Scekiç, ka thënë se sjelljet e Kurtit janë arrogante dhe nuk kontribuojnë në asgjë.
Ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, pati deklaruar se çështja e ‘mini-shengenit’ ballkanik nuk ka qenë asnjëherë temë aktuale në ekzekutiv, pasi që sipas tyre ky projekt është ideja e zonës së Novi-Sadit.