Fushatë “e ashpër” në rrjete sociale – Subjektet politike shpenzuan mbi 100 mijë euro për marketing

Fushatë “e ashpër” në rrjete sociale – Subjektet politike shpenzuan mbi 100 mijë euro për marketing


Partitë politike kanë hyrë në javën e tretë të fushatës zgjedhore.

Një garë tejet interesante po zhvillohet mes Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës, AAK-Nismës, si dhe Koalicionit për Familje, e partive të tjera.

Secila nga to duket se po bën çdo gjë për të paraqitur ofertën e tyre tek qytetarët, vota e së cilëve do të jetë vendimtare për fatin e tyre në këto zgjedhje, shkruan Gazeta Enigma.

Për dallim nga herët e tjera, në një botë ku rrjetet sociale pothuajse janë fjala e fundit e një relacioni të ngushtë me publikun, partitë politike kanë zgjedhur një mënyrë për t’i ngulitur premtimet e tyre në mendjet e publikut. Kjo duke përdorur metodën e sponozorizimit në rrjetin e njohur social, “Facebook” dhe “Instagram”.

Madje nuk janë të vogla shifrat monetare që këto subjekte po japin për reklamim në këtë platformë, ato tashmë kanë kapërcyer shumën prej 100 mijë eurosh.

Diamant Bajra, ekspert i rrjeteve sociale, për Gazetën Enigma ka ndarë detaje për këtë mëtodë që është vënë në përdorim.

“Gjatë kësaj fushate zgjedhore, partitë politike dhe kandidatët kanë shpenzuar një shumë të konsiderueshme prej 121 mijë e 378 euro në platformat META (Facebook dhe Instagram) vetëm në 30 ditët e fundit.”, tha ai.

Sipas tij kjo reflekon ndikimin që rrjetet sociale kanë tek masa.

“Kjo shifër tregon një investim të madh në përpjekjet për të ndikuar opinionin publik dhe për të arritur një audiencë më të gjerë. Shpenzimi i tillë reflekton një qasje strategjike për të ndërvepruar me votuesit në hapësirat ku ata kalojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre, pra në ekrane dhe kjo situatë mund të shihet edhe si progres për partitë, të cilat po adaptohen me kohën dhe po përdorin reklamat digjitale si një urë që lidh fjalët e tyre me emocionet dhe nevojat e qytetarëve”, shprehet Bajra.

Tutje Bajra tregon edhe se cili subjekt politik ka shpenzuar më së shumti, derisa liston “top pesëshen” që kanë shpenzuar më së shumti gjatë kësaj fushate. Listës i prinë, Lumir Abdixhiku me 11 mijë e 171 euro, ndërsa të tjerët janë si në vijim: 2. Bedri Hamza – 9 mijë e 232 euro 3. Lëvizja Vetëvendosje – 6 mijë e 942 euro 4. Lidhja Demokratike e Kosovës – 6 mijë e 555 euro 5. Memli Krasniqi – 6 mijë e 99 euro. 6. Ramush Haradinaj – 4 mijë e 781 euro

A është efektive kjo formë e përdorur nga partitë poltike?

Bajra për Enigmën ka treguar nëse investimet e tille domosdoshmërisht janë të suksesshme.

Forma digjitale e fushatës ka disa përparësi të jashtëzakonshme: Përshtatshmëri dhe targetim i saktë: Reklamat e sponsorizuara mund të dërgojnë mesazhe të ndryshme për grupe specifike të popullsisë – nga të rinjtë e angazhuar në internet deri tek grupet më të moshuara.

Shikueshmëria: Një post i sponsorizuar në rrjetet sociale ka potencialin të shfaqet për mijëra përdorues në një periudhë shumë të shkurtër kohore, duke u bërë shpesh një burim kryesor i informimit për votuesit.

Ndërveprim i drejtpërdrejtë: Votuesit kanë mundësinë të komentojnë, pyesin dhe diskutojnë mbi përmbajtjen e ndarë nga partitë politike, duke krijuar një komunikim të dyanshëm që është shumë më i fuqishëm sesa format tradicionale të reklamimit.

Por është e rëndësishme të theksohet se efektiviteti nuk matet vetëm me arritjen e një audiencë të madhe. Ai varet nga autenticiteti i mesazhit, nga cilësia e përmbajtjes dhe nga aftësia për të krijuar besim.

Një shpenzim i lartë nuk garanton automatikisht sukses, por nëse kjo qasje përdoret me zgjuarsi dhe përmbajtja është bindëse, atëherë kjo formë justifikon çdo cent të investuar”, u shpreh ai.

Kujtojmë se kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të fushatës zgjedhore. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në Kosovë, të dielën e 9 shkurtit. / Gazetga Enigma

Related Articles