Partitë politike në Kosovë përfunduan procesin e regjistrimit të listave me kandidatët për deputetë dhe koalicioneve që do të futen në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në afatin e fundit dhe të zgjatur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, i cili përfundoi të mërkurën në ora 00:00, janë regjistruar 28 subjekte politike nga të cilat 20 janë parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat I pavarur.
LVV, PDK dhe LDK janë regjistruar si parti me lista të vecanta për 9 shkurtin ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt ka formuar një koalicion të përbërë nga 6 parti.
Vetëvendosja publikoi listën zgjedhore ku figura të reja të saj ‘domethënëse’ në këtë garë dalin të jenë Nezir Kraki, Gazmir Raci dhe Edona Llalloshi.
Pas orës 24:00, Vetëvendosja e publikoi listën e saj prej 110 garuesish, të cilin kryetari i këtij subjekti, Albin Kurti, e quajti “listë të fitores”.
Partia Demokratik e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu gjatë ditës nxorën zyrtarisht 110 kandidatët e tyre për Dhomin e Popullit.
LDK-ja që i ka paraprirë fushatës qe kohë me intensitet në top dhjetëshen e saj të parë ka nxjerrë emrat prej më domethënës të partisë, duke nisur prej Lumir Abdixhikut, Kujtim Shalës, Doarsa Kica-Xhelilit, Lutfi Hazirit, Gazmend Muhaxherit, Hykmete Bajrami e Anton Qunit.
PDK-ja, në anën tjetër, në top-renditje ka nisur prej Bedri Hamzës – si bartës liste – me Memli Krasniqin, Vlora Çitakun, Enver Hoxhajn, Uran Ismajlin…e Bernard Nikajn.
AAK-ja në koalicion me Nisma-n e me një numër tjetër partish të vogla, nisi me bartësin e listës, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Time Kadrijajn, Ardian Gjinin…Bekë Berishën e Besnik Tahirin.
Analisti Blerim Burjani tha se Lëvizja Vetëvendosje mund të ballafaqohet me befasi të madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Pritet rënie e interesimit per zgjedhje në VV, është në gjendje më të vështirë, as aderime e as asgjë! Pra partia në pushtet mund të ballafaqohet me befasi të madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. VV tek elektorati prezanton vetëm Kurtin dhe asgjë tjetër , e tërë fuqia zgjedhore mbeshtetet në një njeri”, tha ai.
Në listën e deputetëve të LDK-së, Burjani tha se përbëhet nga njerëz të vjetër, e nuk ka asgjë të re.
“Në LDK s’ka asgjë të rë përveç hyrja e disa njerëzve pa ndikim në elektorat por edhe jo serioz. Lista është e përberë nga njerëz te vjeter qe nuk ka nevojë me fol për këta njerëz të cilët nuk kanë sjellë asgjë në Kuvend për shumë vite”, shtoi ai.
“As në PDK s’ka emra eminent që kanë aderu , vetëm disa persona që nuk perfaqësojnë diçka të veçantë në PDK, përveç numër në listë, që do të zënë vend të parëndësishem”, tha Burjani për Gazetën “Enigma”.
Analisti politik, Amir Shabani tha se fytyrat e vjetra janë bezdi për elektoratin, dhe se duhet dhënë mundësia figurave të reja politike të garojnë.
“Fytyrat e vjetra të listave zgjedhore janë bezdi për elektoratin, andaj duhet dhënë mundësia rinisë për idetë e reja dhe sjelljen e një ndryshimi në vend”, tha Shabani.
“Kam parë listën e PDK-së se ka më shumë se gjysa fytyra të reja dhe kjo duket hap i mirë, me qëllim që rinia me energjinë dhe diturinë e tyre të kontribuojnë në shoqëri”, përfundoi ai.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se partitë politike i kanë ofruar hapësirë kandidatëve të dënuar për vepra penale dhe atyre që po hetohen edhe tani.
“Shumica e partive politike ne mesin e kandidateve per deputete iu paskan ofru hapesire solide edhe kandidateve te denuar per vepra penale, te akuzuar per vepra penale korruptive apo te huliganizmit, persona qe jane duke u hetuar per vepra penale te korrupsionit, etj”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Vetëvendosja prinë në këtë statistikë “famëkeqe” pasuar nga AAK. Ai tha se PDK LDK kanë listat më të pastra.
“Kesaj liste i prine i Levizja VV per nga numri, pasuar nga AAK. PDK dhe LDK me lista me te pastra. Shpresojme se populli do te votoj kandidatet qe s’kane probleme me ligjin, ne menyre qe deputetet e zgjedhur nga populli mos te kene nevoje te kalojne kohe te gjate ne pallat te drejtesise duke u ballafaquar me ligjin”, përfundoi ai.
Ajo çfarë vërehet në këto lista është mungesa e emrave të grave.
Nga partitë politike kanë vendosur pak emra të grave në këto lista.
Lista e Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur 41 gra kandidate, apo më së shumti nga të gjitha partitë politike.
Kurse PDK-ja ka 39 kandidate gra, LDK-ja ka gjithsej 38 gra nga të gjithë 110 kandidatë.
Ndërsa AAK pati 36 emra të grave në listë të kandidimit.
Kësisoj duke i parë emrat në lista, shihet qartë se ka pabarazi të madhe në lista sa i përket kuotës gjinore.
Se sa nga gratë do të arrijnë të marrin vota të mjaftueshme për ulëse në Kuvendin e Kosovës, mbetet të shihet më 9 shkurt. / Gazeta Enigma/