Presidenti i SHBA-Së, Donald Trump, në një konferencë për media javë më parë kishte deklaruar se ka shmangur një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë në Kosovë nga ana e Serbisë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ndërsa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një deklaratë për media gjatë vizitës së saj në Washington, dy herë ka konfirmuar deklaratat e Trump se ai ka parandaluar një përshkallëzim që Serbia ka provuar të bëjë në kufi me Kosovën.
“Në javët që shkuan, ashtu siç ka deklaruar presidenti Trump, ai ka parandaluar një përshkallëzim të asaj se çka Serbia ka provuar të bëjë në kufi me Kosovën, por ishte ndikimi i tij personal që e parandaloi këtë përshkallëzim”, ka thënë Osmani.
Si kuptohet deklarata e presidentes Osmani?
“Ky është një mesazh i koduar për opinionin ndërkombëtar, por shumë i qartë për qarqet e sigurisë, pasi Serbia ka qenë në fazë të avancuar të përgatitjes për një veprim agresiv, i cili është ndalur nga ndërhyrja direke e SHBA-së. Duke përmendur Presidentin Trump, Osmani i referohet një forme joformale por efektive të diplomacisë parandaluese, ndoshta përmes sinjaleve të ashpra ndaj Beogradit ose përmes kontaktit me segmente specifike brenda lidershipit serb”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Shala në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se kërkesat për “neutralitet strategjik” në rajon janë fiktive, dhe se garancia e vetme për sigurinë e Kosovës mbetet prania dhe reagimi i SHBA-së.
Deklarata e Trumpit përgënjeshtrohet nga Vuçiqi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka hedhur poshtë deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që Beogradi zyrtar ka kërcënuar me përshkallëzim konflikti me Prishtinën.
“Nuk kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi lëvizur asnjë makineri, as që na shkon ndërmend… Sa i përket Vjosa Osmanit, që kinse jemi duke u përgatitur për konflikte, këtë mëngjes e kam pasur një takim me përfaqësuesit më të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit që janë duke e vizituar Serbinë. A mendoni që mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh”, ka deklaruar ai.
KFOR: Jemi të angazhuar për stabilitet
KFOR në një deklaratë për media kanë theksuar se angazhimi i tyre për stabilitet në rajon është i palëkundur.
“Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i rëndësishëm strategjik për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin rajonal është i palëkundur, siç e ritheksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në një intervistë për mediat, gjatë Samitit të NATO-s në Hagë”. /Gazeta Enigma/