Infektologu, Izet Sadiku, ka folur për situatën me pandeminë COVID-19 në Kosovë.
Ai ka thënë se jemi në një fazë kur jemi të rrezikuar për rritje të rasteve me këtë virus.
“Në po hyjmë në fazën që rritet rrezikshmëria për bartje të sëmundjes, për shkak se ne po hyjmë në stinën e ftohtë dhe kjo ndikon që njerëzit të qëndrojnë më shumë në hapësira të mbyllura, më shumë të grumbulluar dhe i shtohet kësaj edhe paraqitja e sëmundjes sezonale ku rritet rrezikshmëria për paraqitjen e një vale të re të COVID-19”, ka potencuar ai.
Infektologu tha se është shumë i nevojshëm respektimi i masave antiCOVID që aktualisht janë në fuqi.
Sipas tij rishikimi i tyre do të duhej të ndodhte vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Sa është fushata zgjedhore do të duhej të qëndronin këto masa që janë, tani fillojnë grumbullimet e njerëzve, këto janë zgjedhjet e dyta që po mbahen në kohë pandemie dhe ne kemi treguar se është i vështirë menaxhimi. Pastaj pas zgjedhjeve duhet të shikohet situata se a ka rritje të numrit dhe më pas të rishikohen masat”, u shpreh ai në KlanKosova.
Tutje, ai theksoi se gjatë ditëve të fundit ka pasur rënie të numrave, duke thënë se kjo tregon se ka filluar të qetësohet situata pas një vale shumë të ashpër që e kishim gjatë muajit gusht dhe shtator. /Gazeta Enigma/.