Kontradiktat e ekzekutivit për sigurinë e vendit, a është Kosova zonë rreziku pas sulmeve ruse në Ukrainë

Kontradiktat e ekzekutivit për sigurinë e vendit, a është Kosova zonë rreziku pas sulmeve ruse në Ukrainë

Deklarata kundërthënëse nga krerët e institucioneve kosovare janë thënë ditëve të fundit, teksa sulmet në Ukrainë po intensifikohen. Në njërën anë kryeministri, Albin Kurti paralajmëroi disa herë se Serbia përbën rrezik për Ballkanin, e në anën tjetër kryediplomatja Gërvalla bëri thirrje që të mos bëhet panik për sigurinë e vendit, shkruan Gazeta “Enigma”.

“E kam të rëndësishme të them se në Kosovë nuk ka nevojë askush të ndjejë panik rreth situatës, sepse nuk ka asnjë parashenjë që ndodhemi në prag të një konflikti të armatosur me askënd. Nuk kemi sinjale konkrete për një sulm ushtarak të kujtdo qoftë në Kosovë, por që duhet të jemi shumë vigjilent“, u shpreh Donika Gërvalla të hënën.

Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti e sheh Serbinë si faktor destabilizues që mund të ndikoj në rajon. “Derisa Serbia nuk pranon të mos nënshkruajë deklaratë mossulmimi e paqeje me Kosovën, ajo përbën kërcënim direkt për rajonin, për paqen dhe sigurinë tonë afatgjate dhe të përbashkët”, paralajmëroi Kurti.

Ai tutje ka potencuar se bazuar në këtë, FSK-ja duhet ta shtojnë dhe rrisin nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit dhe shton se kjo duhet bërë në partneritet me NATO-n dhe se duhet bindur NATO që Kosova ka nevojë për një gjë të tillë.

E mundësinë e një agresioni serb mbi Kosovën nuk e përjashton as kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

“Kurrë s’duhet ta përjashtojmë mundësinë dhe potencialitetin e një agresioni serb mbi Republikën e Kosovës. Duke u nisur nga ky pretendim, nga ky postulat, për këtë arsye ne mendojmë që forcat e sigurisë së Kosovës duhet ta rrisin nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit”, ka thënë Konjufca disa ditë më parë.

Çka mund të ndikoj në tensionimin e raporteve Kosovë – Serbi, sipas Anton Qunit

Ish ministri i Mbrojtjes, Anton Quni në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se teksa e gjithë vëmendja ndërkombëtare është tek zhvillimet në Ukrainë, është një moment potencial kur Serbia mund ta shfrytëzoj që të shtoj tensionet në Kosovë.

“Mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga Rusia dhe aleatët e saj, përdorimi i regjimit të Beogradit për destabilizimin e rajonit, shpërqendrimi i vëmendjes tek ngjarjet në Ukrainë, krijojnë ambient të përshtatshëm  që të nxiten tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Anton Quni, deputet nga LDK

Sipas tij ekziston mundësia që Serbia të tentoj përmes Rusisë që të shtroj ndikimin e saj në Ballkan. “Mirëpo, në ambientin e ri të sigurisë globale, të krijuar për shkak të luftës në Ukrainë, duke i ditur çdo herë qëllimet e Serbisë e sidomos qëllimet e Rusisë që të shfrytëzojë lidhjet historike me Serbinë, për të rritur ndikimin e saj në Ballkan, dhe për t’a destabilizuar atë, në këto rrethana ekziston rreziku më i lartë dhe veprimet janë më intensive dhe më të sofistikuara nga ana e tyre. Lufta speciale është e tillë që të arrihet qëllimi por pa e inkriminuar burimin”, ka shtuar ai.

Tutje ai ka thënë se “Ndërhyrja e forcave ushtarake Serbe në Veri të Kosovës mund të ekzistojë si skenar i përgatitur mirë. Një situatë hipotetike mund të ekzistoje në rrethanat kur Beogradi e vlerëson që kreu i NATO-s tregohet i dobët në vendimmarrje, njëkohësisht kur pranon garanca të fuqishme nga Rusia për mbështetje të një operacioni të tillë, si dhe në një situatë kur politikat e shtetit edhe institucioneve të jenë të dobëta sa i përket aspekteve të sigurisë. Në rrethanat aktuale nuk e vlerësoj se është në favorin e Serbisë të ndërmarrë një “aventurë” ushtarake”.

Ekspertët e sigurisë: Situata e qetë, por deklarimet e krerëve institucional, shqetësuese

Ndërkaq, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani vlerëson se aktualisht nuk ka rrezik për destabilizim të Ballkanit, meqë sipas tij ndikimi rus nuk është prezent në këtë zonë, përveç në Serbi.

Sot për sot vështirë se mund të thuhet se ka ndonjë ndikim në Ballkan kjo çfarë bënë Rusia, pasi ndikimi rus përveç në Serbi nuk ka qenë askund prezent. Forcat e nacionalizmit serb në Ballkan munden me bë vetëm ndonjë demonstratë, apo diçka të ngjashme, por në këtë fazë dhe moment nuk mund të ketë asnjë strukturë të organizuar shtetërore të serbëve në rajon që mundet me i dal në mbështetje të hapur Putinit”, ka thënë Hasani për Gazetën “Enigma”.

Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Drizan Shala, për “Enigmën” ka thënë se aktualisht s’ka vend për rrezik të sigurisë së vendit, porse sipas tij shqetësuese mbetet diskursi publik i krerëve institucional për këtë çështje.  

“Me deklarimet e tyre para opinionit, ata po sjellin panik të madh, siç ishin deklarimet e z. Kojufcës, që paraqet një situate tepër të rënd, sikur do të fillon agresioni nesër nga Serbia kundër Kosovës”, ka thënë ai.

Ai shtoi po ashtu se “Duke mos pas çka të paraqes si zhvillim pozitiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës, del Ministri i Mbrojtjes me deklarata bombastike, për anëtarësim të shpejtë në NATO, me kërkesa për baza të përhershme të SHBA në Kosovë, ku të gjitha këto tema duhet të trajnohen me qetësin më të madhe, me seriozitet dhe larg veshit të opinionit kosovar”.

Në anën tjetër kërkesës së institucioneve kosovare për t’i bllokuar hapësira ajrore mbi Kosovën për shtetin rus, i janë përgjigjur KFOR. Ata kanë deklaruar të hënën se hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur për aeroplanët rusë. / Gazeta Enigma.

Related Articles