“Rekomandimet e ekspertëve kanë qenë që Kosovës i duhet një Ligj mbi pasurinë e arit, duhet të kuptohet që valuta e një shteti do të thotë që është e fuqishme aq sa ka ari të deponuar, mirëpo problemi i madh është që tregtia me ari nuk është e rregulluar ligjërisht”.
Kështu ka deklaruar njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për Gazetën Enigma, duke potencuar se “Banka Qendrore e Kosovës duhet të ketë një mekanizëm që të bëjë grumbullimin e arit sepse garancia e stabilitetit financiar e një shteti është në rezerva të arit të deponuara e për fat të keq në Kosovë një sistem i tillë nuk funksionin”.
Ai thekson se në Kosovë katër viteve më parë, brenda vitit kanë qenë të deponuar vetëm 5 deri në 6 kilogramë ari.
“Para katër viteve brenda vitit kanë qenë të deponuar vetëm 5 deri në 6 kilogramë ari, ndërsa sot çdo argjendari ka po aq ari, prandaj duhet të përcillet trendi i importit dhe trendi i shitjes”, është shprehur tutje Gërxhaliu.
Ndërsa, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, në një prononcim për Enigmën thotë se Kosova nuk ka shumë mundësi të ndaj rezerva shkaku që nuk ka kapacitet financiar.
“Nuk kemi më shumë mundësi me nda rezerva të arit sepse nuk kemi kapacitet financiar dhe kuptohet që në buxhet janë rreth 300 milion por e kemi në vlerë monetare”, thotë ai.
Pafuqia për të krijuar rezervat e arit dhe Kosova në raport me shtetet tjera
Ish-ministri Shatri shpreh mendimin se duke marrë parasysh kërkesat e mëdha që ka pasur vendi gjatë ndërtimit të shtetësisë, përballë buxhetit, sipas tij, jo të madh, për pamundësia e krijimit të rezervave të arit nuk duhet të fajësohet askush.
“Nuk mund t’ia lë fajin asnjërës prej qeverive dhe as kësaj aktuale sepse nuk është varur prej tyre. Thjesht, nuk ka pasur mundësi dhe ky është potenciali jonë”, vlerëson Shatri.
“Shtetet që kanë pasur rezerva të krijuara ato i kanë shndërruar në armë dhe i ruajnë si rezerva shtetërore por të depozituara në armë dhe ato ruhen në vende të caktuara, shumica e shteteve i dërgojnë edhe në Zvicër pasi që është vend neutral, është vendi që garanton fshehtësinë dhe të gjithë parametrat”, shton tutje ai.
Për diferencën me shtetet e tjera, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thekson se “në Evropë mund të blini ari edhe me 500 euro mirëpo në të njëjtën kohë e keni një garanci që të njëjtën mund ta ktheni prapa nëpër banka me po të njëjtën vlerë prandaj duhet ligji mbi metalet e çmuara të jetë prioritet i qeverisë aktuale”
“Kosova duhet të këtë një ligj i cili ka rëndësi multi-dimensionale që është i rëndësisë politike dhe ekonomike në mënyrë të pa kontestuar por në të njëjtën kohë një ligj që duhet të analizohet në aspektin psikologjik sepse do të jetë një motiv shtesë për familjarë dhe ushtarë të Kosovës që paratë e gatshme ti shndërrojnë në ari e që garanton shteti gjë të cilën për momentin shteti nuk garanton”, përfundon ai.
Ndryshe, bankat qendrore të botës aktualisht mbajnë më shumë se 35.000 tonelata arë.
Sipas të dhënave të Këshillit Botëror të Arit (World Gold Council), i cili mban shënime sipas vendeve, Shtetet e Bashkuara kanë rezervat më të mëdha të arit – 8,133 tonë, që është pothuajse 78 për qind e totalit të rezervave valutore të vendit.
Pas saj vjen Gjermania me 3,359 tonë dhe Italia dhe Franca me më shumë se 2,000 tonë ar.
Sasi të konsiderueshme ari në dekadën e fundit kanë blerë Rusia dhe Kina, të cilat zënë vendin e pestë dhe të gjashtë në listën botërore./Gazeta Enigma/