Kryeministri Albin Kurti të hënën njoftoi se është hequr pjesërisht masa për produktet serbe, duke lejuar kështu qarkullimin e tyre vetëm në pikëkalimin në Merdarë, me kontroll të shtuar, ndërkohë që tha se do të hiqet kufizimi në të gjitha pikat e kufirit, sapo të bëhet sigurimi i skanerëve të avancuar, shkruan Gazeta Enigma.
“Kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por përderisa nuk na vijnë skanerët, ne do ta hapim vetëm një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që kemi janë masa të sigurisë”, tha Kurti para gazetarëve.
Kurti ka thënë se pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurim të skanerëve në kufi, për të garantuar që mallrat që hyjnë prej Serbisë nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.
Reagime nga Serbia e BE-ja
Serbia reagoi pas vendimit, duke thënë se “është hequr tensioni që ka ekzistuar për kohë të gjatë”.
Ndërkohë zëdhënësi i BE-së ka thënë se mbështet tregtinë e lirë të mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s.
“Tregtia e lirë në përputhje me rregullat e CEFTA-s është vendimtare për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Ky është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe është një pjesë integrale e Planit të Rritjes për rajonin dhe të dyja përfaqësojnë përfitime të prekshme për qytetarët e të gjithë rajonit”, ka thënë Stano në një përgjigjje për Gazetën Enigma.
“LVV e sheh këtë si lëshim apo dorëzim para partnerëve ndërkombëtar”
Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifin, i cili thotë se heqja e masave për mallrat serbe është hap pozitiv për Kosovën, por se partia në pushtet këtë e sheh si “lëshim apo dorëzim para partnerëve ndërkombëtar”.
“Mendoj se heqja e masave për mallrat serbe, pavarësisht se si e quan Qeveria “të pjesshme” apo jo, nga këndvështrimi shtetëror është hap pozitiv, sepse në njëfarë mënyre, Kosovën nuk e përjashton nga bashkëpunimi ekonomik rajonal, por as nga partneriteti evropian”, tha Arifi për Gazetën Enigma.
Sa i përket deklaratës së Kurtit se Kosova nuk do të hiqte masat ndaj Serbisë pa dorëzimin e kriminelit Milan Radojçiq, Arifi këtë e quajti “një hipokrizi të madhe”.
“Kjo është kur nuk punohet me transparencë dhe seriozitet”, u shpreh ai.
Heqja e masave për produktet serbe vjen pas presionit të Gjermanisë, nga i dërguari i posaçëm i këtij shteti, i cili tha se Kosova rrezikon pjesëmarrjen në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit, nëse nuk lëvizë në këtë aspekt.
Për këtë, Arifi thotë se Qeveria Kurti, në fund të ditës “duhet të koordinohet për secilin veprim, si brenda dhe jashtë, me partnerët ndërkombëtarë”.
‘Ne mund të vazhdojmë për një kohë për çdo gjë , por në fund të ditës rezultatet po na tregojnë se pa atë bashkëpunimin dhe koordinimin e saktë, ne nuk po mund të arrijmë asgjë. Kjo është edhe një vërtetim që bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerët evropianë sjellë vetëm përfitime për Kosovën, asnjëherë humbje”, deklaroi Arifi për “Enigmën”.
Arifi shprehet i bindur se Qeveria do ta largojë komplet masën.
“Në njëfarë mënyre e kanë kushtëzuar me skenerët, pra me një çështje teknike po dojnë me e shndërru në një çështje strategjike, por sidoqoftë, unë mendoj se rezultati në këtë rast është më i rëndësishëm, ajo që Kosova të mos mbetet peng i një politike të gabuar, por të jetë gjithmonë në një hap me ekonomitë rajonale, sepse kjo mund të na penalizojë më shumë në të ardhmen. Sidoqoftë, unë mendoj se veprimi është pozitiv, pavarësisht se çka ka menduar partia në pushtet, për shumë elemente të politikës kosovare”.
Njoftimi për heqjen e masës në një njëjtën kohë me rritjen e pensioneve – rastësi apo e qëllimshme?
Opinionisti Arifi thotë se edhe këto dy njoftime në të njëjtën kohë janë “me bisht”, pasi në njëfarë mënyre është tentuar të mbulohet ajo që “sipas LVV-së konsiderohet ‘lëshim apo dorëzim para partnerëve ndërkombëtar”.
“E bëri me një veprim të pamoralshëm, sepse Qeveria nuk i rritë pensionet vetëm kur të do Qeveria. Është ligji që e rregullon se kur rriten pensionet – në janar, në bazë të indeksimit të ekonomisë së vendit. Prandaj mendoj se këto janë manipulime banale, sepse kjo nuk është serioze. Edhe nëse do ishte bërë 100 përqind rritja, prapë nuk është ligjore. Po vërehet që Vetëvendosja është mësuar të punojë gjithmonë në mënyrë jolegale”, tha më tej Arifi”.
Pse Kurti e vuri masën për mallrat serbe?
Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.
Sipas Kurtit, masa kufizuese nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë.
Kosova ka qenë pjesë e Procesit të Berlinit që nga themelimi i tij në vitin 2014, dhe disa nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të kësaj nisme rajonale janë marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare, kualifikimeve profesionale dhe bashkëpunimit në fushën e transportit, energjisë. ekologjinë, dixhitalizimin dhe roamingun.
Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.
Kurti ka thënë të hënën se pret që në takimin e radhës, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar edhe në të kaluarën që emri të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.
Sarrazin theksoi se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht. / GAZETA ENIGMA.