Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kur po diskutohet për 4 vjetshin e qeverisjes sqë Qeverisë “Kurti”, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti me mburrje foli për të arriturat e tij, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha se qëndron me krenari dhe vetëbesim para deputetëve pasi sipas tij këto katër vjet qeverisje kanë qenë të mbushura me plot arritje
“Sot qëndroj para jush me krenari dhe vetëbesim mbi këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë, që ka qenë me përplot të arritura, dhe me më shumë sfida se zakonisht jemi mësuar. Është një histori ndryshimesh të cilat e prekin jetën e përditshme e të gjithë qytetarëve, që do të thotë edhe të secilës kategori shoqërore. Këto histori suksesi flasin njëkohësisht për një të ardhme më të mirë, që nuk e përjashton askënd dhe shifrat që do t’i prezantoj, padyshim se kanë shpirt, meqenëse ato kanë vënë në lëvizje, mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e tyre, mundësitë për të ardhmen, pa diskriminim e pa privilegje”, theksoi Kurti.
Sipas tij në këto katër vjet papunësia ka rënë nga 25.8 për qind në 10 për qind. Sfidë në këtë aspekt ka thënë se mbetet aktivizimi i grave në tregun e punës.
Kurse kur foli për veriun e vendit, Kurti tha se “Janë mbyllur shërbimet ilegale në komunat veriore, i kemi eliminuar ndikimin e organizatave terroriste, por kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale atje … kemi shtruar rrugë edhe në komunat në veri, gjithnjë ma shume qytetarë serbë po bashkëpunojmë ne institucionet e Kosovës”.
Seanca e sotme u ftua nga partia opozitare, AAK-ja, e cila në fillim të seancës adresoi disa kritika kundrejt Qeverisë, duke e cilësuar si “Qeveria me rekordin më të madh në shkeljet kushtetuese”. / Gazeta Enigma.