Kurti nga Vjena: Afër gjysmë miliardi euro është shuma e investimeve direkte austriake në Kosovë

Kurti nga Vjena: Afër gjysmë miliardi euro është shuma e investimeve direkte austriake në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, i cili aktualisht gjendet në Vjenë të Austrisë, sot u takua me bashkatdhetarë dhe miq të Kosovës nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Austri, ku u theksua miqësia e dyja vendeve, dhe nevoja për bashkëpunim të metejmë, shkruan Gazeta Enigma.

Sipas njoftimit, Kurti theksoi që Austria është një vend partner, aleate e mike e Republikës sonë e cila ka kontribuar edhe historikisht edhe aktualisht, edhe sa i përket mbrojtjes e sigurisë sonë, por edhe sa i përket ekonomisë e kulturës, për çka shteti dhe populli i Kosovës janë gjithmonë mirënjohës. Me këtë rast, ai i shprehu mirënjohje edhe mysafirëve nga Austria dhe pjesëtarëve të grupit të miqësisë Kosovë-Austri që ishin të pranishëm mbrëmë në këtë organizim, dukë dëshmuar kështu raportet e mira dhe miqësinë që vazhdon.

“Politikanë, aktivistë austriakë që nga vitet ’90-ta e deri në kohët e fundit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë emra aktiv për opinionin publik në Kosovë. Me këtë rast unë kisha dashur të theksoj Alois Mock, i cili si ish-ministër i Punëve të Jashtme, u bë zë i fuqishëm për vendin dhe popullin tonë në vitet e ’90-ta, e po ashtu edhe ish-kancelari Franz Vranicki e veçanërisht zëvendëskancelari i tij Erhard Busek, e natyrisht edhe diplomatë si, Fürst Albert Rohan, aktivistë edhe intelektualë si, Christine von Kohl, e deri tek parlamentarët evropianë të kohëve të fundit si, Ulrike Lunacek e Lukas Mandl”, u shpreh Kurti.

Kryeministri Kurti tha se lidhjet tona janë historike, janë kulturore dhe se është i lumtur që përveç mbështetjes politike me Austrinë edhe lidhjet ekonomike edhe tregtare janë duke u rritur.

Ai u bëri thirrje që të vazhdojnë të investojnë në vendin tonë dhe të hulumtojnë mënyra e mundësi sesi mund të ushtrojnë profesionet e tyre edhe në Kosovë.

Në Austri llogariten të jenë afër 100,000 qytetarë nga Kosova që jetojnë, punojnë e studiojnë në Austri dhe që kontribuojnë për të dyja vendet.

Kryeministri Kurti sot do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Related Articles