Ligji për Unifikimin e Barnave s’po respektohet – Dallime ekstreme në çmimet e barnave

Ligji për Unifikimin e Barnave s’po respektohet – Dallime ekstreme në çmimet e barnave

Më 13 korrik të vitit 2023, Ligji për Unifikimin e Barnave kaloi në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte njoftuar se nga 1 shkurti i këtij viti ka hyrë në fuqi lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale, e cila synon të unifikojë çmimet e barnave në të gjitha barnatoret e Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Por që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, shumë qytetarë janë ankuar për dallimin ekstrem të çmimeve të barnave nëpër barnatore.

Qytetari A.S., në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se i duhet të kontrollojë nëpër barnatore për barnat që përdor, derisa t’i gjejë me çmimin më të ulët.

“Secila barnatore i ka të ndryshme çmimet. Po detyrohemi t’i vizitojmë disa barnatore derisa t’i gjejmë më lirë”, tha ai.

Kujtojmë se gjatë një konference për media më 31 janar të këtij viti, ministri Arben Vitia kishte deklaruar se ky vendim do të garantojë barna me çmime më të përballueshme dhe të njëjta për të gjithë qytetarët.

Tutje, ai paralajmëroi masa ndaj kompanive farmaceutike që nuk kanë dorëzuar çmimet e barnave të tyre sipas kërkesave ligjore, duke nënvizuar se ky proces do të zbatohet pa kthim prapa.

“Më në fund i mundësohet qytetarëve të Kosovës që të kenë qasje të drejtë dhe me çmime korrekte për barnat. Kanë qenë të njoftuar të gjithë aktorët pa dallim dhe ligji do të fillojë të zbatohet. Të gjitha takimet që kemi pasur, jo vetëm me barnatore, por edhe më herët gjatë përpilimit të ligjit dhe fazave të tjera. Ky është një ligj për qytetarët dhe është një ligj i drejtë”, ka thënë Vitia.

Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, kanë deklaruar se tashmë ka filluar inspektimi për zbatimin e këtij vendimi.

“Inspektorati Farmaceutik, nga data 03.02.2025, ka filluar dhe është duke vazhduar me aktivitete inspektuese, duke u thirrur në zbatimin e Listës së miratuar rreth vendosjes së çmimeve në produktet medicinale, bazuar në Vendimin e Ministrit të Shëndetësisë, me theks të veçantë vendosjen e çmimeve në produktet medicinale, konkretisht stoqet e mbetura të cilat nuk e kanë çmimin të vendosur në banderole”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për “Enigmën”.

Nga Zyra për Informim e këtij dikasteri kanë njoftuar se, bazuar në inspektimet e kryera deri më tani, është duke u zbatuar ky vendim.

“Bazuar në inspektimet e kryera deri më tani, është duke u zbatuar Vendimi i Ministrit për vendosjen e çmimeve në produkte medicinale sipas listës zyrtare për përcaktimin e çmimeve të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë”.

Por Gazeta “Enigma” ka siguruar fotografi që tregojnë se bari i njëjtë nuk po shitet me çmimin e njëjtë në të gjitha barnatoret, ashtu siç parashihet në Ligjin për Unifikimin e Barnave.

Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka deklaruar se në momentin që bëhet një ligj dhe nuk zbatohet, ai është i pavlefshëm.

Tutje, ajo ka shtuar se duhet të kryhen sa më shumë monitorime për të parë se sa po zbatohet ky ligj dhe për të identifikuar ku ka ngecje.

“Ligjet bëhen për t’u respektuar dhe implementuar. Në momentin që bëhet një ligj dhe miratohet, por nuk zbatohet, atëherë ky është një ligj i pavlefshëm”, tha ajo.

“Në momentin e konstituimit të Kuvendit, Komisioni për Shëndetësi, kushdo që do të jetë, ka obligim monitorimin e zbatimit të ligjit dhe të ballafaqohet me ngecjet, pastaj të dijë shkakun e tyre dhe të dalë me një raport se çfarë duhet bërë”, deklaroi Kadrijaj për “Enigmën”.

Sipas saj, “duhet të dihet ku janë ngecjet dhe shkaku i tyre, si dhe të intervenojë inspektorati shëndetësor për të parë çfarë po ndodh dhe ku janë këto mangësi”.

Kadrijaj ka bërë thirrje për qytetarët që nëse shohin parregullsi, t’i drejtohen inspektoratit shëndetësor.

“Ka mundësi që zgjatja e procesit zgjedhor, dhe tani stërzgjatja e konstituimit të Kuvendit, ndoshta kanë bërë që të mungojë mbikëqyrja. Por në këtë rast është mirë t’i drejtohen inspektoratit shëndetësor”, deklaroi Kadrijaj.

“Pasurimi në emër të pacientit është i pafalshëm”

Në lidhje me këtë çështje kishte reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai specifikisht e kishte përmendur medikamentin “Travazol”, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë ky medikament do të kushtonte vetëm 1.51 euro, por sipas tij kjo nuk po zbatohet.

“Qeveria – Ministria e Shëndetësisë na premtoi se medikamenti ‘Travazol’ do të kushtonte vetëm 1.51 euro. Sot, çmimi është 4.83 euro. Ky është vetëm një nga shumë rastet ku mbi 40% e barnave kanë pësuar rritje të çmimeve, shumë prej tyre ekstreme. Po flas për këtë sepse pati jehonë mediatike, pati premtime të drejtpërdrejta. Dhe asgjë nuk u mbajt”, kishte shkruar Zemaj në një postim në profilin e tij në Facebook.

Tutje, ai ka theksuar se keqpërdorimi është evident, ndërsa heshtja është bashkëfajësi.

“Kjo qeveri në ikje ka rritur varfërinë. E ka vështirësuar jetën e pacientit dhe të çdo qytetari. Kur një prind nuk ka mundësi të blejë një krem për fëmijën e vet, kur një i moshuar detyrohet të zgjedhë mes bukës dhe barnave – kjo nuk është më dështim, është padrejtësi”, tha Zemaj.

“Shëndeti është e drejtë, por për qeverinë në ikje është biznes. Qytetarët meritojnë dinjitet, jo mashtrim”, ka përfunduar ai.

Çfarë parasheh Ligji për Unifikimin e Çmimeve të Barnave?

Ligji për Çmimin e Produkteve Medicinale, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 13 korrik 2023, synon të eliminojë dallimet e çmimeve të barnave në treg, duke vendosur një metodologji referuese për përcaktimin e çmimeve, bazuar në krahasimet me shtetet e rajonit dhe metodën e çmimit referent të brendshëm dhe të jashtëm.

Ky mekanizëm parandalon spekulimet me çmimet dhe krijon një sistem më transparent për qytetarët dhe operatorët farmaceutikë.

Inspektorati Farmaceutik ka obliguar personat përgjegjës në barnatore që të zbatojnë ligjin dhe të vendosin çmimet në produktet medicinale në përputhje me Listën Zyrtare të Çmimeve./Gazeta Enigma/

Related Articles