Në pothuajse secilën paraqitje të ekzekutivit, cak i diskutimit janë mediat në Kosovë dhe qasjen e tyre karshi Qeverisë, shkruan Gazeta Enigma.
Madje është kritikuar jo pak herë gjuha e përdorur e krerëve të Qeverisë karshi mediave, e cila vlerësohet si gjuhë e rrezikshme që cenon sigurinë e gazetarëve në vend.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje disa ditë më parë, sulmoi hapur mediat duke deklaruar se “kurrë nuk kanë qenë më shumë media kundër qeverisë se në qeverisjen Kurti”.
“Kurrë nuk kanë qenë më shumë medie kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti. Ata që për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën te qeveria jonë, por asnjëherë te Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj”, ka thënë Kurti.
E kjo deklaratë shkaktoi zhurmë në opinion. Ishte Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili e dënoi ashpër gjuhën e përdorur nga kryeministri.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se deklarimet e tilla janë të rrezikshme dhe cenojnë sigurinë e gazetarëve.
“Për AGK është deklaratë skandaloze, e papranueshme dhe shumë e rrezikshme mbi të gjitha. Nuk e kuptojmë obsesionin e Kurtit me mediat për t’i sulmuar ato dhe gazetarët për punën që e bëjnë”, tha Rexha.
Por jo vetëm Kurti. Problem me mediat kanë dhe pjesëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.
Zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka, teksa mohoi raportimin e bërë nga “Klan Kosova” se e bija e heroit, Hamëz Jashari, do t’i bashkohet listës së kandidatëve të VV-së për deputet, tha se ky raportim “është bërë me qëllim të krijojë pritshmëri te publiku dhe pastaj të tentojë ta deshpërojë atë”.
Ai akuzoi mediumin duke thënë se ka certifikatë nga Serbia.
Lidhur me këtë analisti politik, Amir Shabani, ka thënë për Gazetën “Enigma” se propaganda mediatike ka vërshuar dhe po e plasojnë lajmin sipas dëshirës e jo sipas nevojës dhe vërtetësisë.
“Mediat janë ato që përçojnë lajmit tek qytetari kryesisht si raportim nga veprimet e qeverisë dhe jo vetëm, mirëpo lajmi duhet qenë i qartë dhe i saktë, si dhe pa prapavijë propaganduese mediatike. Pasiqë vërejmë se propaganda mediatike ka vërshuar dhe fatkeqësisht e plasojnë lajmin sipas dëshirës, e jo sipas nevojës dhe vërtetësisë.
Tutje, ai tha se “nëse për një televizion të caktuar pretendeohet se ka prapavijë devijante apo bashkëpunim me Serbinë, duhet ndërmarrur akt gjyqësor dhe një dyshim i tillë të qartësohet”.
Ndërkohë Natyra Kuqi nga PSD-ja thotë se ‘sulmet’ e Kurtit ndaj mediave shfaqin karakterin autoritar që kreu i ekzekutivit ka.
“Sulmet e Kurtit ndaj mediave janë një nga ato dimensione që shfaqin karakterin autoritar të kryeministrit. Delegjitimimi i kritikës bashkë me linçimin si aragt të Serbisë, që Kurti u bën mediave, flet shumë për kryeministrin që nuk e kupton demokracine dhe ndarjen e roleve aty. Në këtë drejtim, krejt fokusi i tij është suprimimi i demokracisë dhe më pas të ketë vetem një adresë nga ku buron e vërteta – partia/shtet”, ka thënë Kuqi për Enigmën.
E këtë çasje Kuqi e sheh si “shqetësuese, të papranueshëm dhe duhet reagim dhe mobilizim. Demokracia në Kosovë duhet të ruhet pavarësisht shqetësimeve të pushtetit të Kurtit”. / Gazeta Enigma/