Policia e Kosovës po vazhdon me implementimin e vendimeve të institucioneve shëndetësore lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.
Policia vetëm në 24 orët e fundit ka dënuar 722 qytetarë për mosrespektim të masave antiCOVID-19, në kohën kur vendi po përballet me numër të lartë të të infektuarve me coronavirus.
“Evidentimi i rasteve të reja të infektimit me virusin COVID 19, ka qenë shqetësues për qytetarët dhe institucionet në përgjithësi dhe pas masave të reja të ndërmarra nga institucionet e vendit edhe Policia e Kosovës ka rritur kapacitetet në funksion të realizimit dhe implementim të këtyre masave në bashkërendim me autoritetet kompetente”, thuhej në njoftimin për media të Policisë.
Policia ka paralajmëruar se me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.