Miratimi i buxhetit më të lartë në historinë e Kosovës, shkaku i rritjes së çmimeve apo meritë e Qeverisë “Kurti”?

Miratimi i buxhetit më të lartë në historinë e Kosovës, shkaku i rritjes së çmimeve apo meritë e Qeverisë “Kurti”?

“Kjo nuk është arsye për t’u krenuar Qeveria Kurti. Rritja e të hyrave nuk janë shkaku i aktiviteteve të planifikuara të tyre, por për shkak të rritjeve të çmimeve në vendin tonë dhe në botë”, kështu ka thënë në një prononcim për Gazetën Enigma, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku.

Kjo deklaratë vjen pasi që u diskutua se buxheti prej 2.7 miliard eurove, i miratuar në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës të premten, i cili është buxheti me vlerën më të madhe që është miratuar deri tani.

Deputeti Lushtaku, ka theksuar se sipas tij nuk do të ketë rritje ekonomike ashtu siç kanë pretenduar Lëvizja Vetëvendosje, po në rast se ndodh diçka e tillë ai do të ishte i kënaqur edhe si opozitë.

“Në qoftë se ka një rritje të tillë, unë sigurisht që do të isha shumë i kënaqur edhe si opozitar sepse ka rritje në gjithë shtetin e Kosovës, por duke u bazuar në gjitha elementet makroekonomike, gjitha pakot ekonomike, kjo nuk mund të ndodh por sigurisht ne do të shohim në fund të vitit 2022-tës se a do të kemi një rritje ekonomike të pretenduar nga Qeveria Kurti”, ka shtuar ai.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku

Lashtaku, në Seancën e Kuvendit të premten pati edhe debate të ashpra me deputetët e VV-së, pasi kjo e fundit nuk e përkrahën një amendament të tij që lidhej me projektin për furnizimin e ujit në Skenderaj.

“U pa shumë qartë që ky Ligj pasqyron vetëm nevojat elektorale të Vetëvendosjes dhe asesi kërkesat reale të qytetarëve që kanë në përditshmëri”, theksi për Enigmën, deputeti Lushtaku.

Sipas, tij për shkak të inatit politikë VV-ja kanë larguar buxhete të ndryshe dhe kjo vetëm me qëllimin që t’i hakmerren qytetarëve që nuk i votuan në zgjedhjet qendrore dhe lokale.

“Kanë bërë një dënim dhe diskriminim për qytetarët e Kosovës”, përfundon ai.

E në anën tjetër, miratimin e Buxhetit për vitin 2022 me shifër më të madhe se vitet paraprake, ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë si shkak i krizës globale e në veçanti ngritjes së çmimeve.

Ekonomistët: Ngritja e çmimeve – rriti buxhetin

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për Gazeta “Enigma”, thotë se “një rritje e tillë e çmimeve ka ndikuar që të rriten të hyrat edhe në dogana edhe në administratën tatimore të Kosovës që është shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës, nuk është politika dhe institucionet por sektori privat ose pjesa e diasporës”.

“Duhet të njoftojmë opinionin që paratë e këtij buxheti nuk janë të gatshme dhe të paketuara duhet punë që të realizohet, në këtë drejtim ka ndodhur përpara dhe prapë do të jetë në sektorin privat apo tek komuniteti i biznesit si dhe tek diaspora”, thekson Gërxhaliu.

Sipas, tij ajo që e karakterizon debatin në parlamentin e Kosovës, mes pozitës dhe opozitës për buxhetin lë të nënkuptohet që Qeveria ka dashtë t’i përmbushë premtimet që i ka dhënë elektoralit.

“Veprime të tilla japin shijen që nuk dyshoj se viti 2022 do të jetë përsëri viti i zgjedhjeve”, përfundon Gërxhaliu.

Njohës i ekonomisë, Safet Gërxhaliu

Ndërsa, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka thënë për Gazetën “Enigma”, se veprimet e qeverisë aktuale janë fushatë paraelektorale, siç e quan ai “shumë e gërditshme”

“Buxheti i këtij viti është shkaku rritja e të hyrave buxhetore për shkak të rritjes së çmimeve”, thotë Shatri.

Ish-ministri Shatri, potencon se në parim është mirë që është miratuar në kohë buxheti, mirëpo sipas tij partia e cila i ka mbi 50 për qind të votave në Kuvend e ka shfrytëzuar mundësi të ndaj buxhetin pa u lodhur për vërejtjet e opozitës.

“Unë besoj që shumë kërkesa kanë qenë të arsyeshme, nuk do të thotë që asnjë amendament nuk ka qenë i duhuri, kjo ishte ajo që më ka penguar dhe sipas meje ka qenë primitive dhe është arrogancë e numrave e cila nesër kur të vjen dita për zgjedhjet e reja, populli do ta mbaj në mend dhe ka me u hakmarrë”, përfundon ai.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri

Komunitetet: Asnjëherë nuk na është ndarë më shumë buxhet

Palë e kënaqur nga ky miratim i buxhetit doli të jetë ajo e komuniteteve jo shumicë.

Deputeti nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës– LPRK, Erxhan Galushi, në një prononcim për Gazetën “Enigma” u shpreh se për herë të parë komuniteti jo shumicë fitoi më shumë së asnjëherë nga buxheti i vendit.

“Mendoj që kurrë më shumë nuk ka pasur qasje në buxhet dhe mundësi buxhetore komuniteti jo shumicë, sikurse që iu është dhënë tani, ka pasur ndarje edhe më herët por jo në këtë nivel që është ndarë tani”, thotë Galushi.

Ai shprehet i kënaqur, pasi që “u votua buxheti më i madh i historisë së Kosovës deri më tash prej 2.7 miliardë euro, e që në këtë buxhet në të shumtën e rasteve dhe shumë benifite të tjera relevante që janë, asnjëherë nuk kanë qenë pjesë edhe komunitetet jo shumicë”.

Deputeti nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës– LPRK, Erxhan Galushi

Ndryshe, në seancën e së premtes, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 65 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, kanë miratuar në lexim të dytë buxhetin për vitin 2022./Gazeta Enigma/

Related Articles