Nga Berlini priten mesazhe të qarta për Kosovën dhe Serbinë

Nga Berlini priten mesazhe të qarta për Kosovën dhe Serbinë

Kryeqyteti i Gjermanisë, Berlini të enjten më 3 nëntor do t`i bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në samitin që mbahet atje në kuadër të Procesit të Berlinit do të hidhet firma në tri ujdi për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Lidhur me rëndësinë e takimit të Berlinit ka folur për Klankosova.tv, ish – ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu i cili tha se në Samitin e Berlinit, pritet që Kosova dhe Serbia të marrin mesazhe të qarta nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Në Samitin në Berlin pritet që Kosova dhe Serbia të marrin mesazhe të qarta nga kancelari gjerman Scholz. Fakti se të dyja palët ulen në tryezë mbështetur nga Gjermania si fuqi ekonomike dhe politike, është një mesazh i rëndësishëm.

Xhakaliu deklaroi se të kesh Gjermaninë si mike dhe një mbështetëse të madhe gjatë gjithë këtyre viteve, është për t’u vlerësuar.

“Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit. E vetmja shkollë mendimi që ndjek është ajo e këtij procesi”, tha ai.

Ai tutje ka thënë se Kosova duhet t`i ruajë këto marrëdhënie me miqtë tanë dhe të mbështesim më tej procesin e Berlinit.

“Tani për tani unë nuk mund të parashoh se cilat marrëveshje do të arrihen, por fakti se Gjermania mori iniciativën që të rinis këtë takim, tregon se sa i rëndësishëm është ky proces”, tha Xhakaliu.

Nga ana tjetër, analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë për Klankosova.tv që nëse arrihet marrëveshja e lëvizjes së lirë përmes ID kartave, atëherë kjo do të jetë e arritura kryesore për Ballkanin Perëndimor në këtë fazë që jemi.

“Nëse arrihet marrëveshja e lëvizjes së lirë përmes ID kartave, atëherë kjo do të jetë e arritura kryesore për Ballkanin Perëndimor në këtë fazë që jemi, sepse disa shtete në mes tyre ende nuk po mund t’i kapërcejnë dallimet e tyre politike edhe pse të gjitha janë duke punuar për integrim në familjen evropiane”, ka thënë Raci në një prononcim në Klankosova.tv.

Tutje Raci ka thënë që Procesi i Berlinit ka edhe një tjetër rëndësi të madhe.

“Ky takim e ka edhe një rëndësi tjetër të madhe e ajo është qartësimi që kërkojnë këto 6 shtete për rrugën e tyre për integrim në BE sa më shpejt që të jetë e mundur, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike pas luftës së Ukrainës”, tha ai.

Në samitin e nesërm në Berlin, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë dakorduar për nënshkrimin e marrëveshjeve për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.

Këto ujdi janë tre nga katër të tilla, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord qysh në samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Angela Merkel.

Por ato mbetën të paimplementuara për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë. Kosova këmbëngulte që ajo të merrte pjesë në këto marrëveshje si Republikë e Kosovës, gjë që nuk e pranonte Serbia.

Related Articles