Pa “aminin” e opozitës Kurti nesër takohet me Vuçiq, kërkohet progres drejt marrëveshjes përfundimtare

Pa “aminin” e opozitës Kurti nesër takohet me Vuçiq, kërkohet progres drejt marrëveshjes përfundimtare


Takimi Kurti – Vuçiq – regres apo progres drejt marrëveshjes finale!

Të martën e 15 qershorit (nesër) pritet të ndodh një takim i nivelit të lartë i dialogut Beograd-Prishtinë që do të zhvillohet në Bruksel. Në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për herë të parë do të ballafaqohen “sy më sy”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurit dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan Gazeta “Enigma”.

Zyra për informim e Bashkimit Evropian, për Gazetën “Enigma” kanë njoftuar mbi detajet e takimit ku sipas tyre do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak.

Sipas BE-së, do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit, të martën në orën 8:20.

Kjo më pas do të pasohet me një deklarim tjetër për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 13:00).

Pritshmëritë e BE-së për këtë takim janë saktësuar edhe nga Zëdhënësi për Politikë të Jashtme i këtij institucioni, Peter Stano, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Ai ka thënë se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet për të cilat është arritur pajtim.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij presin nga të dyja palët një përkushtim të vazhduar për t’u angazhuar në këtë dialog dhe për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet. Kjo nënkupton që gjithçka për të cilën është arritur pajtim duhet të zbatohet. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj presin që institucionet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta kapin mundësinë për ta dërguar këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm,” – vijoi zëdhënësi Stano.

Pritshmëritë e Kurtit për dialogun dhe kundërshtitë e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel do të shkoj pa miratimin e opozitës. Dallimet pozitë-opozitë sa i përket dialogut u shpërfaqën gjatë një debati parlamentar në Kuvendin e Kosovës të premten, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Në këtë seancë, Kryeministri Kurti përmendi një nga një marrëveshjet që u arritën në Bruksel nga qeveritë e kaluara, duke thënë se shumica prej tyre nuk kanë gjetur zbatim dhe se kanë qenë të dëmshme për Kosovën.

Gjatë raportimit Kurti tentoi të shmang deklarimet lidhur me takimin e 15 qershorit, kur në Bruksel pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në atë që cilësohet si rifillim i dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“U kërkua që këtu ne të vijmë më platformë për takimin e së martës. Gabim do të ishte. Është gabim. A e dini pse? Sepse në javën e ardhshme nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër. Nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtin dialog që na ka sjellë në këtë situatë. Por, do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, theksoi ai.

Kurti tha se qeveritë e kaluara që kanë udhëhequr me procesin e dialogut kanë bërë gabime të shumta që kanë vendosur Kosovën në një pozitë të dobët, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Opozita ndërkohë ia përmendi kryeministrit Kurti qëndrimet që ai kishte para se të vinte në pushtet se nuk bënë të bisedohet me Serbinë pa kërkuar falje dhe se nuk duhet të bisedohet pa u zgjidhur fati i të pagjeturve.


Asociacioni, temë e diskutimit apo jo?

Se a do të jetë themelimi i Asociacioni i Komunave Serbe temë e diskutimit në takimin e nesërm, nuk duhet me siguri. Mirëpo, pala serbe tashmë ka njoftuar se planifikon të diskutoj për këtë çështje.

Madje, deklaratave të Kurtit se nuk mund të flitet për themelim të një asociacioni të komunave me shumicë serbe si organizëm një-etnik, Vuçiç i është kundërpërgjigjur se nëse nuk flitet për asociacionin, nuk ka pse organizohet ky takim.

Ai vetëm dy ditë para takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se ditët nuk do të jenë të lehta, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

“Këto nuk janë ditë të lehta përpara. Nuk është koha për fjalë të mëdha. Ne kemi një qëndrim të vendosur. Ne duam të tregojmë se kujdesemi për dialogun dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, por siç mund ta shihni, po bëhet më e vështirë kur ju shikoni se çfarë po bën udhëheqja shqiptare”, u shpreh Vuçiç.

Paralajmërimi i Albin Kurtit për ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid, Vuçiç tha se dëshmon se kryeministri i Kosovës nuk është i gatshëm për dialog.


Takimi Kurti – Vuçiq – regres apo progres drejt marrëveshjes finale

Në anën tjetër ndryshe e sheh takimin e nesërm analisti Blerim Burjani. Ai në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se kryeministri Kurti në takim po shkon për ta ndryshuar formatin e dialogut, dhe jo për të dialoguar.

“E para kryeministri nuk po shkon që të negocioj por po shkon që të flas për ndryshimin e formatit të bisedimeve, ai këtë e ka përsëritur pareshtur se ai nuk pranon dialogun e dikurshëm por angazhohet për një strukturë tjetër dialoguese. Kjo duket të jetë problematike për BE dhe SHBA të cilat dialogun e shohim si vazhdim por jo si diçka të re që duhet të ndodh”, theksoi ai.

Sipas tij krejt ky takim nuk pritet të prodhoj progres në dialog, apo drejt marrëveshjes finale mes dy shteteve.
“Për Kurtin është ndryshimi i qasjes në dialog për BE dhe SHBA dhe Serbinë vazhdimi aty ku ka mbet dialogu pra te asociacioni dhe themelimi i saj. Kurse Kurti nuk ka deklaruar ndonjë kreativitet tjetër dhe opsione në agjende as në Kosove e as ne Bruksel, thjesht po shkon me fol dhe asgjë me tepër , pra dialog sa për tu parë dhe për të tentuar të ndryshohet formati i bisedimeve”, shtoi tutje ai.

Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, filloi në vitin 2011 dhe përmes tij synohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve./Gazeta Enigma.


Related Articles