Përkundër ligjit për Unifikim të Barnave barnatoret ende me cmime të ndryshme – Flasin nga MSH-ja

Përkundër ligjit për Unifikim të Barnave barnatoret ende me cmime të ndryshme – Flasin nga MSH-ja

Ndonëse më 13 korrik të vitit 2023 Ligji për Unifikimin e Barnave kaloi në Kuvendin e Kosovës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte njoftuar se nga 1 shkurti i këtij viti ka hyrë në fuqi llista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale, e cila synon të unifikojë çmimet e barnave në të gjitha barnatoret e Kosovës. Por që nga hyrja  në fuqi të këtij ligji, shumë qytetar janë ankuar për dallimin ekstrem të çmimeve të barnave nëpër barnatore, shkruan Gazeta “Enigma”.

Gjatë një konference për media më 31 janar të këtij viti, ministri Arben Vitia kishte deklaruar se ky vendim do të garantojë barna me çmime më të përballueshme dhe të njëjta për të gjithë qytetarët. Ai theksoi se ndonëse në muajt e parë mund të ketë rezistencë dhe lëkundje në tregun farmaceutik, qeveria është e vendosur për zbatimin e ligjit.

“Më në fund i mundësohet qytetarëve të Kosovës që të kenë qasje të drejtë dhe me çmime korrekte për barnat. Kanë qenë të njoftuar të gjithë akterët pa dallim dhe ligji do të fillojë të zbatohet. Të gjitha takimet që kemi pasur, jo vetëm me barnatore por edhe më herët gjatë përpilimit të ligjit dhe faza të tjera. Ky është një ligj për qytetarët dhe është një ligj i drejtë”, ka thënë Vitia.

Tutje ai paralajmëroi masa ndaj kompanive farmaceutike që nuk kanë dorëzuar çmimet e barnave të tyre sipas kërkesave ligjore, duke nënvizuar se ky proces do të zbatohet pa kthim prapa.

Por, sa po zbatohet Ligji për Barna në përgjithësi në Kosovë?

Qytetari A.S. në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se i duhet të kontrollojë nëpër barnatore për barnat që përdor, derisa ato t’i gjejë me çmimin më të ulët.

“Secila barnatore i ka të ndryshme çmimet. Po detyrohemi me i vizitu disa barnatore derisa po i gjejmë më lirë”, tha ai.

Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën “Enigma” kanë deklaruar se tashmë ka filluar inspektimi për zbatimin e këtij vendimi.

Nga Zyra për Informim e këtij dikasteri, kanë njoftuar se deri më sot janë kryer 460 inspektime në qarkullues farmaceutik me pakicë (barnatore).

“Ju rikujtojmë se, Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale, e miratuar me Vendim nr. 208/XII/2024 të Ministrit të Shëndetësisë, ka hyrë në fuqi më datë 01.02.2025. Nga kjo datë, Inspektorati Farmaceutik ka filluar zbatimin e këtij vendimi të ministrit, ku deri me tani janë kryer 460 inspektime në qarkullues farmaceutik me pakicë (barnatore). Gjatë këtyre inspektimeve, është vënë re se barnatoret janë në procesin e vendosjes së çmimeve të reja për produktet medicinale”, thuhet në përgjigjen e MSH.

 “Inspektorati Farmaceutik ka obliguar personat përgjegjës në barnatore që të zbatojnë Ligjin dhe të vendosin çmimet në produktet medicinale në përputhje me Listën Zyrtare të Çmimeve”.

“AKPPM ka vendosur çmimet sipas Listës Zyrtare në banderolat e produkteve medicinale në importet e reja”

MSH tutje ka theksuar se edhe “Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) ka vendosur çmimet sipas Listës Zyrtare në banderolat e produkteve medicinale në importet e reja”.

“Të gjithë mekanizmat ligjorë që Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion, janë duke u shfrytëzuar me qëllim që tregu farmaceutik të mbetet i furnizuar dhe qytetarët të kenë mundësi për të blerë barna të nevojshme për shëndetin e tyre”, thuhet në përgjigjen e MSH për Gazetën “Enigma”.

Çfarë parasheh Ligji për Unifikimin e Çmimeve të Barnave?

Ligji për Çmimin e Produkteve Medicinale, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 13 korrik 2023 synon të eliminojë dallimet e çmimeve të barnave në treg, duke vendosur një metodologji referuese për përcaktimin e çmimeve, bazuar në krahasimet me shtetet e rajonit dhe metodën e çmimit referent të brendshëm dhe të jashtëm.

Ky mekanizëm parandalon spekulimet me çmimet dhe krijon një sistem më transparent për qytetarët dhe operatorët farmaceutikë.

Inspektorati Farmaceutik ka obliguar personat përgjegjës në barnatore që të zbatojnë Ligjin dhe të vendosin çmimet në produktet medicinale në përputhje me Listën Zyrtare të Çmimeve. /Gazeta Enigma/

Related Articles