Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, po përballet me kritika në rritje lidhur me zgjerimin e kabinetit qeveritar dhe mënyrën e përzgjedhjes së ministrave. Sipas ekspertëve politikë, rritja e numrit të ministrive dhe emërimet e kontestuara nuk garantojnë efikasitet institucional dhe bien ndesh me premtimet e dhëna para zgjedhjeve nga përfaqësuesit e LVV-së, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ekspertët kritikojnë rritjen e numrit të ministrive në Qeverinë Kurti, duke vënë në dukje se kjo nuk garanton automatikisht efikasitet apo organizim më të mirë. Për më tepër, sipas tyte përzgjedhja e ministrave duhet të bazohet mbi rezultate, ekspertizë dhe integritet, dhe jo mbi interesat partiake apo kërkesat e koalicionit.
Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, tha se në mandatin e kaluar qeverisës Kurti kishte premtuar reduktimin e ministrive dhe racionalizimin e qeverisjes, por aktualisht numri i tyre është rritur në 19. Ai theksoi se kjo është në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe mund të prodhojë efekte negative në efikasitetin e qeverisjes.
“Është evidente që në mandatin e kaluar qeverisës, para se të fillonte me premtimet parazgjedhore, kryeministri aktual kishte deklaruar se duhej të reduktoheshin ministritë, të ekonomizohej qeverisja dhe të kishte më pak dikastere. Kjo ka ndodhur pjesërisht, por jo në mënyrë natyrale, më shumë artificiale dhe jo profilizuese. Janë bashkuar disa ministri me njëra-tjetrën, si ajo e Integrimeve me Punët e Jashtme, pastaj Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave, gjëra këto pothuajse të panatyrshme”, deklaroi Baraliu.
“Ndërsa tani kemi shtim të ministrive, jo më pak se 19. Kjo është një e kundërt në veprim, mirëpo ndoshta përvoja pesëvjeçare me qeverisjen ka pasur ndikimin e vet që kjo qeverisje e tanishme të orientohet ndryshe”, theksoi ai.
Në një linjë me Bajraliun, është edhe njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, i cili potencoj tha për “Enigmën” se rritja e numrit të ministrive nuk do të thotë as punë më e mirë e as organizim më të mirë dhe se nuk do të ketë asnjë efekt real në përmirësimin e qeverisjes.
“Sa i përket shtimit të numrit të ministrive, duket se kjo është bërë për t’i rehatuar persona që potencialisht do të kishin mundësi të reagonin dhe të shprehnin pakënaqësi, sidomos kur ato vijnë nga partnerët e koalicionit. Rritja e numrit të ministrive nuk do të thotë as punë më e mirë e as organizim më të mirë dhe nuk do të ketë asnjë efekt real në përmirësimin e qeverisjes”, deklaroi Muhaxheri.
“Kënaqshmëria e sa më shumë aktorëve në qeverisje”
“Ndoshta një faktor tjetër ka qenë edhe kënaqshmëria dhe përfshirja e sa më shumë aktorëve në qeverisje, përfshirë komunitetet pakicë dhe anëtarë të tjerë të koalicionit të LVV-së, për t’u bërë vend kërkesave dhe ambicieve politike të tyre. Edhe kjo mund të ketë ndikuar. Mbase një faktor i tretë është se Kurti ka vlerësuar se disa bashkime apo fuzionime ministrish në mandatin e kaluar nuk kanë prodhuar rezultate dhe i është kthyer kësaj qasjeje”, theksoi Baraliu.
Ai shtoi se Kosova është vend i vogël dhe qeverisja do të duhej të ishte efikase dhe racionale, me sa më pak shpenzime, sa më pak ministri dhe zëvendësministra, pasi kjo ka kosto dhe mund të sjellë mosefikasitet, ndërthurje dhe përzierje kompetencash.
“Emërimet problematike”
“Është dashur të ketë ministra të rinj, njerëz të cilët njihen në profesionin, punën dhe karrierën e tyre”, tha Baraliu.
Ai theksoi se do të duhej të kishte më pak ministra nga qeverisja e kaluar dhe më shumë ministra të rinj, të dëshmuar me vlera, rezultate, dije dhe përvojë. Sipas tij, nuk është e drejtë që ministritë të drejtohen nga persona anonimë, militantë partiakë apo emërime që bëhen vetëm për të përmbushur kërkesat e koalicionit.
Sipas Baraliut, një nga gabimet e qeverisjes së kaluar të Kurtit ishte fakti se shumë prej ministrave të emëruar nuk ishin të dëshmuar në fushat përkatëse dhe nuk dhanë rezultate të mjaftueshme, por megjithatë u riemëruan.
“Ndërrimi i ministrit të Kulturës në një dikaster krejt tjetër, siç është Arsimi, edhe pse i rëndësishëm, mund të sjellë më shumë ndërprerje të aktiviteteve sesa përmirësim”, deklaroi ai.
Ministrat nën hetime dhe me aktakuza
“Ajo që shohim, si ekspertë dhe si qytetarë, është se disa ministra nuk kanë dhënë rezultate, por megjithatë janë betonizuar në pozita dhe janë riemëruar me një kontinuitet katërvjeçar”, tha Baraliu.
Ai theksoi se, pavarësisht parimit të prezumimit të pafajësisë, ekziston edhe një parim politik, moral dhe etik që kërkon që në qeveri të mos ketë persona nën akuza, pavarësisht se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.
Baraliu kritikoi Kurtin se, për të njëjtën arsye, sa ishte në opozitë i kishte kundërshtuar partitë e tjera, ndërsa tani vepron ndryshe.
Ministrat nën hetime, “zakon” në Qeverinë Kurti II dhe III
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, tha për “Enigmën” se për Kurtin dhe qeverinë e tij, ministrat nën hetime ose me aktakuza janë kthyer në “zacon”.
“Kjo ka ndodhur edhe në Qeverinë Kurti 2, por asnjëherë Kurti nuk ka marrë hapa për lirimin e tyre nga detyra, të paktën deri në përfundimin e procesit”, deklaroi Muhaxheri.
Sipas tij, riemërimi i tyre nuk duhet të jetë çudi, pasi është pjesë e mendësisë së kësaj qeverisjeje. “Kurti po e keqpërdor mbështetjen popullore duke emëruar ministra që nuk i plotësojnë kushtet”, përfundoi ai.
Përbërja e kabinetit Kurti III
Zëvendëskryeministër i parë do të jetë Glauk Konjufca, ndërsa zv. Kryeministre e dytë është Donika Gërvalla e Zv ministër i tretë Fikrim Damka.
Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati; Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti; Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci; Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla; Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu; Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia; Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrtulla Ceku; Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci; Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani; Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli; Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja; Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha; Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari; Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli; Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
“Ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar.
“Mësimet që kemi nxjerrë përgjatë mandatit të kaluar dhe përvojën që kemi fituar dhe ekspertizën tuaj profesionale, më bëjnë të besoj se ky kabinet ka të gjitha parakushtet që të jetë kabineti qeveritar më i suksesshëm në historinë e re të Republikës sonë që shumë shpejt i mbush 18 vjet”, ka deklaruar Kurti.
Vendor e ndërkombëtarë e mirëpritën formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë Kurti III, dhe e uruan kryeministrin, Albin Kurti.
Ajo që ra në sy ishte se kryeministri i Shqipërisë nuk pati asnjë reagim pas formimit të Kuvendit dhe të Qeverisë. /Gazeta Enigma/
