Që nga 7 qershori i këtij viti, shteti i Serbisë po e mban në paraburgim ish-policin e Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, shkruan Gazeta “Enigma”.
Sipas autoriteteve serbe, Spahiu akuzohet për vrasje të rëndë në rastin “Banjska”, ku një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator 2023, rast ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në lidhje me këtë çështje, Gazeta “Enigma” ka kontaktuar avokatin Arianit Koci, i cili ka kritikuar institucionet e Kosovës, duke theksuar se ato nuk po bëjnë sa duhet për lirimin e Spahiut.
“Me pyet mendjen e shtetit tonë, ata po mendojnë që po bëjnë mjaft, por unë mendoj që në këto raste, ku qytetarët kosovarë kanë probleme shumë serioze, nuk mjafton me dërguar emaila”, tha Koci.
Ai shtoi se në këso rastesh duhet “t’i dërgohen email-e QUINT-it, ambasadës amerikane, por edhe në baza ditore të bëhet presion publik”. Koci njëkohësisht theksoi se është i gatshëm të angazhohet pa pagesë në raste të tilla.
Kurse deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha për “Enigmën” se as Qeveria në ikje dhe as ministrja në detyrë nuk kanë bërë mjaftueshëm në lidhje me këtë rast.
“Po kemi plot raste që janë të ngjashme dhe ka qenë detyrë e ministres në detyrë dhe e deputetëve që t’i drejtohen vendeve të BE-së, QUINT-it dhe ambasadave, për të ushtruar presion pozitiv në mënyrë që qytetarët tanë të lirohen, e jo të lihen në mëshirën e fatit”, tha Kadrijaj.
Ajo akuzoi qeverinë për mungesë angazhimi, duke shtuar se e vetmja gjë që i intereson është “patriotizmi për vota”, e jo interesat e qytetarëve.
Në anën tjetër, deputetja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një përgjigje për “Enigmën” tha se institucionet e Kosovës kanë dështuar pasi raste të tilla ndodhin vazhdimisht nga autoritetet serbe.
“Fakti që ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, vazhdon të mbahet në burg nga autoritetet e Serbisë është lajm i keq për Republikën e Kosovës. Fatkeqësisht, institucionet tona kanë dështuar të tregojnë përkushtimin e nevojshëm, pasi raste të tilla janë të përsëritura dhe kosovarë, ish-pjesëtarë të UÇK-së apo zyrtarë të Policisë, mbahen për muaj të tërë në paraburgim nga autoritetet serbe”, tha Deliu-Kodra.
Ajo shtoi se gjendja e rëndë në të cilën ndodhet Kosova lidhet edhe me faktin që vendi aktualisht udhëhiqet nga një qeveri në detyrë, e cila nuk po i përmbush obligimet e saj.
“Fakti që Kosova nuk ka institucione funksionale, por vetëm një qeveri në detyrë që nuk po i kryen detyrat e saj, flet shumë për situatën në të cilën ndodhet vendi ynë. Familjarët ende vazhdojnë të bëjnë kërkesa, por deri më sot nuk kemi parë asnjë reagim të denjë në lidhje me rastin e Arbnor Spahiut”, deklaroi Deliu-Kodra.
Familja e Arbnor Spahiut organizon protestë
Sipas familjarëve të ish-policit, protesta e sotme në sheshin “Skënderbeu” ka pasur për qëllim të bëjë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të ngrisin zërin kundër padrejtësisë me të cilën ai dhe familja e tij po përballen tash e katër muaj.
Qytetarët mbanin pankarta me mbishkrimet: “Arbnori nuk është vetëm”, “Drejtësi për Arbnorin” dhe “Liria është e drejtë, jo privilegj”.
Organizatorja e protestës tha se Spahiu po mbahet padrejtësisht në burg në Serbi.
“Padrejtësia nuk mund të mbulohet me heshtje. Ne jemi këtu për të ngritur zërin e Arbnorit, për të thënë me vendosmëri se liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk mund të mbahet peng i padrejtësisë”, u shpreh ajo. /Gazeta Enigma/