Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën e përbashkët pas mbledhjes së dy qeverive shqiptare, është pyetur për bashkimin kombëtar.
Rama ka thënë se në një referendum paqësor, do të votonte pro bashkimit kombëtar.
Madje, Rama ka thënë se është i bindur se bashkimi kombëtar një ditë do të ndodhë.
“Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor, unë do të votoja hapur PRO. Në rast se më pyesni se a do të ndodhi kjo, unë them se kjo do të ndodhi, nuk e di kur e si, por se kjo do të ndodhë një ditë. Tani ata që mund ta marrin këtë dhe të dalin e të bërtasin për Shqipërinë e Madhe unë them se fallxhorët nuk dëgjohen”, tha Rama në konferencën për media.
Ndërsa, kryeministri Kurti tha se deklarata e tij për bashkimin kombëtar është më shumë një moskuptim sesa keqkuptim. Kurti tha se bashkimi kombëtar nuk është një gjësend, por është një intencë kolektive që na përzgjedh neve.
“Mua më duket që ka një moskuptim se sa një keqkuptim. Ai nuk është një gjësend, është një intencë kolektive që na përzgjedh neve”, tha Kurti. /Gazeta “Enigma“/